Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti është ndalur sot në qytetin e Gjirokastrës, në mbështetje të kandidatit për deputet të VV Kreshnik Merxhani.
Bashkë me të Albin Kurti vendosi kurora me lule në shtatoren e Çerçiz Topullit. Kurti ndaloi edhe para memorialit të personaliteteve më të shquar të qytetit, midis tyre edhe Musine Kokalari.
Më herët ai ka qenë në qytetin e Lezhës dhe Tiranës në mbështetje të kandidatëve, Iljaz Shehu dhe Boiken Abazi.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, tha dje nga Tirana se do të votojë në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri.
Gjatë një konferencë për mediat nga selia e VV-së në kryeqytet, kreu i kësaj force politike dhe fituesi i zgjedhjeve në Kosovë bëri thirrje që shqiptarët të votojnë për tre kandidatët në Tiranë, Lezhë dhe Gjirokastër.
Mesazhi që Albin Kurti dha është se “Shqipëria është më e madhe se qeveria. Shqiptarët kanë nevojë për ndryshime edhe në Kosovë edhe në Shqipëri”
“Qarku i Tiranës duhet të votojë Bojken Abazin, qarku i Lezhës Iliaz Shehun dhe qarku i Gjirokastrës duhet të votojë Kreshnik Merxhanin dhe unë do të vij të votoj në 25 prill”, tha Albin Kurti.