Policia e Tiranës ka arrestuar mjekun Niko Nika, pasi akuzohet për korrupsion dhe falsifikim të tamponëve COVID-19.
Nga hetimet rezulton se mjeku i Institutit të Higjienës, Niko Nika merrte para për të bërë tampon jashtë radhe.
Njoftimi i policisë:
Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Gjatë 24 orëve të fundit janë vënë në pranga 12 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, nga strukturat e DVP Tiranë u bë kapja dhe ndalimi i 4 shtetasve të shpallur në kërkim.
Nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit N. N., 66 vjeç, pasi Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim, “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”, kryer në bashkëpunim, më shume se një herë dhe “Ushtrim, ndikimi i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë.