PROF. DR. ARBEN MALAJ
Historiani Yuval Noah Harari, autor i disa librave më të shitur në botë lidhur me përballjen me Covid-19, do të qartësonte se: “Rreziku i vërtetë nuk vjen nga virusi, por nga demonët e brendshëm të njerëzimit, siç është urrejtja dhe lakmia. Urrejtja është rezultat i një zgjidhjeje false: rreziku janë të tjerët. Lakmia pasuron pak, dëmton shumë dhe favorizon virusin”.
Krizat janë momenti kritik për të testuar lidershipin në nivel kombëtar dhe global. Ato janë një mundësi edhe për të përmirësuar qeverisjen e çdo vendi. Globalizimi, ndërvarësia, rritja e flukseve të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve duket se i ka eliminuar kufijtë fizikë, aq më tepër për eksportimin/importin e pandemive, krizave ambientaliste, ekonomike dhe financiare.
2021 duket një vit jo i lehtë si në aspektin e përballjes me pandeminë, por edhe për risqet e rënies së rritjes ekonomike, rritjen e papunësisë, varfërisë, pabarazisë dhe tensionimeve shoqërore e politike.
Efektet pozitive shkencore të prodhimit në një kohë shumë të shkurtër të shumëllojshmërisë së vaksinave anti-Covid, po pengohen nga mungesa e përgjegjësisë dhe koordinimit në nivel global dhe kombëtar. Covax është një ide racionale, por vonesat në funksionimit e saj janë zhgënjyese. Edhe pas shfaqjes së dritës/vaksinave në fundin e tunelit të pandemisë, moskoordinimi i furnizimin i të gjitha vendeve me vaksina, mund të prodhojnë kostot më afatgjata.
Nacionalizmi i (pa) justifikuar ka krijuar vonesa në vaksinimin masiv dhe të njëkohshëm në të gjitha vendet, deri në nivelin e imunitetit të tufës, që nënkupton 65 -80 % të popullatës. Presidentja e BE-së, Ursula von der Leyen, deklaroi se BE-ja mund ta arrijë këtë shkallë vaksinimi në fund të verës 2021, ndërsa SHBA parashikojnë afate më të gjata.
Rreth 140 vende nuk e kanë filluar akoma vaksinimin, duke mbetur vatra me risk global përhapës. Mutacionet e reja mund të shfaqen dhe rishfaqen më shpesh. Qeveria shqiptare akoma nuk ka qartësuar një objektiv konkret për vaksinimin e 65 % të popullatës përpara fillimit të sezonit turistik.
Vonesat do të rrisin efektet negative në ekonominë tonë, sidomos në zinxhirin e mallrave, shërbimeve, punësimit dhe të ardhurave nga turizmi. Shqipëria vlerësohet jo pozitivisht për menaxhimin e pandemisë si për: (i) parandalimin e përhapjes masive të Covid-19 edhe (ii) për shkallën e ulët të vaksinimit të popullatës.
Pavarësisht përpjekjeve për krijimin e një optimizmi, numrat në rritje të vdekjeve ditore, shkalla e përhapjes dhe impakti i statistikave ndërkombëtare mund të dëmtojnë sezonin turistik. Nëse vazhdohet me këto ritme të përhapjes dhe mosvaksinimit të popullatës, rrezikohemi të përjetojmë një vit tjetër më të vështirë se pritshmëritë dhe larg premtimeve të qeverisë. Individët, familjet, biznesi dhe ekonomia e buxheti i vendit janë goditur rëndë gjatë vitit 2020. Qeveria e ka detyrim human dhe ligjor të ketë strategji kombëtare me objektiva të qarta dhe të matshme të vaksinimit të popullatës.
Transparenca dhe komunikimi publik vlerësohen shumë të rëndësishëm për menaxhimin e pandemisë. Në disa vende, rënia e besimit te qeveritë po ushqen hezitimin publik për një vaksinim të vullnetshëm. Franca është rasti konkret me shkallën më të lartë të hezitimit nga stafi mjekësor. Qeveria duhet të qartësojë se kur arrihet niveli i vaksinimit të popullatës, i cili garanton sigurinë shëndetësore dhe lehtëson flukset turistike si faktor i rëndësishëm i reduktimit të pasojave negative të pandemisë dhe si shpresë për rigjallërimin e ekonomisë në 2021?
Rritja e risqeve, për rritjen më të vogël ekonomike në 2021, vonesat e qartësimit dhe implementimit të politikave lehtësuese dhe mbështetëse ndaj të varfërve, të papunëve dhe biznesit vazhdojnë të ulin konsumin dhe investimin privat. Vetëm para pak ditësh, një prej kompanive ndërkombëtare të ratingut bëri rishikim në ulje të rritjes ekonomike për 2021 me rreth 0.5% të GDP-së, ose rreth 10 përqindje më pak se parashikimi i mëparshëm. Të gjitha indekset ndërkombëtare të publikuara në 2021 po bëjnë një vlerësim jo pozitiv, në disa raste përkeqësues të lirive politike, korrupsionit dhe kapjes së shtetit.
Procesi i fillimit të negociatave ka efekte negative shumëdimensionale. Mundësia me e shpejtë është pas qershorit 2021. 2021 po shoqërohet edhe me një agresivitet të rritur partiak për zgjedhjet parlamentare, agresivitet që vazhdon dhe vret qoftë konsumin, investimet vendëse dhe të huaja.
Këtë rënie të kërkesës së përgjithshme në ekonomi nuk mund ta kompensojë në mënyrë të shëndetshme dhe të qëndrueshme as tolerimi i parave të pista, as rritja e investimeve publike spontane dhe as rritja e partneriteteve publike private preferenciale (4 Ptë).
Ato prodhojnë kosto të rënda nga cenimi i konkurrencës së lirë, nga përqendrimi i mundësive dhe pasurisë në pak duar dhe nga ulja e kredibilitetit publik të qeverisë. Efekte jopozitive që e bëjnë të vështirë përballjen me sfidat e vitit 2021 mund të zbuten nëse : (i) vaksinimi i popullatës arrihet përpara fillimit të sezonit turistik; (ii) respektohet nga të gjithë protokolli mjekësor. Presidenti Biden e vlerësoi mbajtjen e maskës një akt patriotik; (iii) përshpejtohet implementimi i buxhetit 2021 duke filluar nga investimet dhe mbrojtja sociale; (iv) përshpejtohen pagesat e prapambetura që shteti ka ndaj biznesit, i cili dëmtohet si nga rënien e aktivitetit edhe kostot e krizës së likuiditeteve.
Vonesat në rimbursim pengojnë ringritjen ekonomike, ushqejnë rritjen e informalitetit dhe kreditimin e bizneseve nga tregjet informale dhe para të pista; (v) ndalen ndryshimet e shpeshta ligjore në taksa, dhe administrimin fiskal.
Propozimi për një moratorium për penalitet është një hap i mirë për një periudhë të përkohshme të pasigurive, pa qartësive dhe hezitimit për konsumin dhe investimin privat, që përcaktojnë shkallën dhe shpejtësinë e ringritjes së ekonomisë, sepse ushqejnë 60- 75 % të kërkesës së përgjithshme; (vi) ndalen koncesionet dhe 4P-të aktuale, sepse kanë risk të rritur për korrupsion dhe kapje të shtetit; (vii) ristrukturohen/spostohen në kohë detyrimet ndaj 4P-ve duke i dhënë prioritet financimit të shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes sociale; (viii) gjatë 2021 shmanget çdo pengesë dhe kosto shtesë financiare ndaj individëve, familjeve dhe bizneseve, nga qeveria qendrore dhe bashkitë, duke filluar nga spostimi në kohë i kostove të fiskalizimit dhe penaliteteve; (ix) reduktohet agresiviteti ndërpartiak i ushqyer edhe nga zgjedhjet parlamentare 2021; (x) studiohen mundësitë për kufizimin e aktiviteteve masive partiake.
Ashtu si nxënësit, edhe studentët po detyrohen të mësojnë online, ashtu si shumë biznese po mbijetojnë nga shitjet dhe shërbimet online, ashtu edhe politikanët duhet ta bazojnë fushatën e tyre në platformat online, takime individuale e grupe të vogla, sipas rregullave strikte të protokolleve parandaluese të përhapjes së Covid-19.
Çdo vonesë dhe aq më pak çdo përpjekje e sforcuar për të mos e pranuar apo fshehur realitetin, si rasti në Nju Jork (manipulimi i numrit të vdekjeve), prodhon më shumë viktima, më shumë të varfër e të papapunë dhe asnjë të fituar.
Virusin po e ushqen edhe babëzia, korrupsioni dhe kapja e shtetit, që u kanë “vrarë” disa politikanëve çdo ndjeshmëri njerëzore dhe përgjegjësi ligjore.