Kryeministri Edi Rama bën me dije se nesër ministrja e Jashtme Olta Xhaçka zyrtarizon në Romë marrëveshjen për lejet e drejtimit të shqiptarëve në Itali.
Në mesazhin e tij kryeministri shprehet se tani duhet të bëhet përpara edhe për marrëveshjen për pensionet e shqiptarëve në Itali.
“Më në fund! Falë Luigi di Maios dhe falë të gjithë atyre që punuan me durim për të arritur deri këtu.
Tani të bëjmë përpara me marrëveshjen për pensionet e shqiptarëve në Itali, qytetarë shembullorë që nderojnë miqësinë vëllazërore midis Italisë dhe Shqipërisë, duke punuar fort dhe duke kontribuar në ekonominë italiane tanimë prej shumë vitesh”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Sjellim në vëmendje që çështja e njohjes së patentave të shqiptarëve u përmend nga Rama gjatë konferencës së përbashkët për mediat me ministrin e Jashtëm Di Maio.