Pas mbërritjes së 38400 dozave të AstraZeneca, kryeministri Edi Rama i bëri dje thirrje autoriteteve të Kosovës, që mjekët dhe infermierët të vijnë të vaksinohen në Kukës me vaksinat e siguruara nga Shqipëria.
Por nga Kosova ka ardhur një përgjigje konfuze.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë e Kosova tashmë ka plan të hartuar se si do të zhvillohet vaksinimi kundër koronavirusit, kur është pyetur për propozimin e kryeministrit Edi Rama.
Në një përgjigje për mediat kosovare, Zemaj s’ka pranuar të flasë nëse do të marrin vaksinat e premtuara nga Shqipëria. Ai ka thënë se Kosova tashmë ka plan të hartuar si do të zhvillohet vaksinimi, edhe pse ende asnjë vaksinë anti-COVID s’është në Kosovë.
“Prioritet është vaksinimi i kuadrit shëndetësor, kur dihet përkushtimi i tyre dhe vdekja e mjekëve dhe infermierëve duke trajtuar virusin. Ne kemi plan të hartuar si do të zhvillohet vaksinimi, prioritet janë kuadri shëndetësor”, ka deklaruar Zemaj, i pyetur nëse do e dërgojnë stafin shëndetësor për t’u vaksinuar në Shqipëri, pas thirrjes së Edi Ramës.
Nuk dihet nëse kemi të bëjmë me qendrim refuzues, por duhet thënë se deklarata e ministrit është e paqartë.