Sot në Kosovë nuk botohet asnjë gazetë e shtypur. Fundi i gazetave të shtypura, të cilat edhe ashtu përballeshin me vështirësi të mëdha, erdhi me pandeminë e koronavirusit, e cila e thelloi edhe më shumë krizën financiare të botuesve.
Imer Mushkolaj, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës dhe profesori i gazetarisë, Milazim Krasniqi, thonë se zhvillimi i medies digjitale u shkaktoi vështirësi të mëdha financiare kompanive mediale dhe, rrjedhimisht, çoi në shuarjen e medies tradicionale, sidomos medies së shtypur.
Mushkolaj tregon se deri para një viti në Kosovë janë botuar katër gazeta ditore: “Koha Ditore”, “Epoka e Re”, “Zëri” dhe “Bota Sot”. Botimi i tyre u ndërpre në muajin mars të vitit të kaluar, pas vendosjes së masave kufizuese për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19 dhe futjes së vendit në izolim. Tani, këto medie vazhdojnë me publikimin e versionit elektronik.
“Pandemia i dha një goditje përfundimtare të botimit të gazetave, për shkak se kostoja e botimit të gazetave, në njërën anë, dhe anën tjetër tirazhet jo të mëdha të këtyre gazetave, shuma e vogël e mjeteve financiare të gjeneruara nga shitja, janë arsyet kryesore që një gjë e tillë ndodhi“, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.
Mushkolaj ka thënë se zhvillimi i teknologjisë, sidomos përdorimi na masë i internetit, të cilat kanë mundësuar përhapjen e shpejtë të lajmeve dhe e kanë ulur koston e shpërndarjes kanë bërë që kompanitë mediale të ofrojnë shërbime vetëm online.
“Kosova është shumë mirë e mbuluar me internet dhe qytetarët e Kosovës janë përdorues të mëdhenj të telefonave mobilë dhe të pajisjeve tjera elektronike, prandaj qasja në përmbajtjet online është jashtëzakonisht e lehtë. Ky është një ndër faktorët kyçë për krizë kompanitë medielë”, ka thënë ai.
Mushkolaj ka thënë se financimi i gazetave të shtypura është problem shumë i rëndë, prandaj mendon se rifillimin e botimit të tyre e sheh pothuaj të pamundur, edhe pas përfundimit të pandemisë, në qoftë se botuesit nuk do ta kenë ndihmën e shtetit.
”Pas përfundimit të pandemisë do të jetë e vështirë që këto gazeta të mund të rifillojnë të dalin në treg, për shkak se pa një ndihmë financiare, e cila do duhej të vinte nga institucionet, kjo është e pamundur”, ka thënë Mushkolaj.
Milazim Krasniqi e cilëson shuarjen e gazetave ditore si ”disfatë kulturore, politike dhe biznesore” për gjithë shoqërinë e Kosovës.
Ai e konsideron këtë jo vetëm pasojë të krizës financiare të botuesve, por edhe pasojë të politizimit të gazetave të shtypura dhe të mungesës së vullnetit politik për të mbajtur në jetë shtypin ditor.
“Afërsia e pronarëve të gazetave me partitë politike ka dëmtuar reputacionin e mediave të shkruara. Kjo tashmë është konsumuar dhe paraqiti krizën në të cilën jemi”, ka thënë ai.
“Këto të dyja së bashku e kanë sjell krizën. Përndryshe teknologjia informative, siç ka mundur të jetë hendikep, mund të jetë edhe favor, sepse zhvillimi teknologjik mund ta ulë koston e përgatitjes së gazetave, të rrisë efikasitetin dhe imazhin e tyre në sytë e publikut”, ka theksuar ai.
Krasniqi ka theksuar gjithashtu se institucionet e Kosovës duhet të mbrojnë tregun medial në Kosovë.
“Diçka duhet të bëhet sepse mbyllja e të gjitha gazetave nuk ka rezultuar me asnjë deklaratë as nga zyrtarët e kuvendit, as të qeverisë dhe as të partive politike. Pra, është një injorancë kolektive e kësaj elite politike dhe kjo tregon edhe shkakun kryesor të mbylljes së gazetave ditore”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, Kuvendi i Kosovës duhet të krijojë bazë ligjore për rikthimin në treg të gazetës së parë shqipe në Kosovë, “Rilindja”, fillimisht si gazetë publike. Kosova.
Krasniqi mmendon se Kosova duhet t’i ketë në treg më së paku tri gazeta ditore.
Edhe Mushkolaj mendon se në tregun e Kosovës duhet të ketë gazeta të shtypura ditore, qoftë edhe të ndërmarrjeve publiko-private.