Kryeministri Edi Rama ka kujtuar 22-vjetorin e bombardimeve të NATO-s në Beograd për të shpëtuar Kosovën.
Në një postim në twitter, kreu i qeverisë ka risjellë fjalimin e Presidentit amerikan të kohës, Bill Clinton, i cili dha lajmin historik.
Rama thotë se kjo është një datë e pashlyeshme në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.
“Adresimi historik i Presidentit Bill Clinton për bombardimin e regjimit nacional-socialist të Beogradit në mbrojtje të Kosovës së martirizuar, e bën datën e sotme një datë të pashlyeshme në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane”, shkruan Edi Rama.
Adresimi historik i Presidentit Bill Clinton për bombardimin e regjimit nacional-socialist të Beogradit në mbrojtje të Kosovës së martirizuar, e bën datën e sotme një datë të pashlyeshme në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane🇦🇱🇽🇰❤️🇺🇸 https://t.co/sRyhb50Qnz
— Edi Rama (@ediramaal) March 24, 2021
Në fjalën e tij, atëkohë, Bill Klinton tha ndër të tjera: “Bashkëkombas të mi: Në këtë moment trupat serbe po lëvizin nga një fshat tek tjetri, po bombardojnë vendbanimet civile dhe po djegin shtëpitë. Ne po shohim njerëz të pafajshëm, të përzënë me forcë nga shtëpitë e tyre, njerëz që me forcë janë vendosur para togave të pushkatimit dhe gjuajtur me plumba. Burrat kosovarë janë ndarë nga familjet e tyre, prindërit dhe fëmijët bashkë, të vënë në rresht, janë gjuajtur me një herë me armë zjarri.
Kjo që po ndodh në Kosovë, nuk ka asgjë të ngjashme me luftën dhe me ligjet tradicionale të luftës; kjo është një luftë e padrejtë e kryer me të gjitha arsenalet ushtarake ndaj njërëzve të pafajshëm që nuk mund të mbrohen dhe kur ata dhe udhëheqësit duan vetëm paqe. Pra, bashkëkombas, të luftojmë që ta mbyllim këtë tragjedi e cila për ne është një kërkesë morale”.