Koreja e Veriut lëshoi të paktën dy raketa me rreze të shkurtër veprimi disa ditë më parë, sipas raporteve të shumta, në atë që do të ishte prova e parë e Phenianit në rreth një vit.
Washington Post raportoi së pari mbi provën të martën vonë, duke thënë se “një numër raketash me rreze të shkurtër veprimi” u lëshuan “fundjavën e kaluar” por pa dhënë detaje të tjera.
Disa media të tjera konfirmuan raportin, duke cituar zyrtarë amerikanë që folën me kushtin që identiteti i tyre të mos publikohej.
Nuk është e qartë se cilat raketa janë testuar, kur janë testuar, ose sa larg kanë fluturuar. Zyrtarët amerikanë dhe koreano-jugorë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës së Zërit të Amerikës për komente.
Zyrtarët amerikanë dhe koreano-jugorë zakonisht japin detaje menjëherë pas provave të Koresë së Veriut. Pheniani gjithashtu zakonisht paralajmëron aktivitetet në mediat e tij shtetërore.
Asnjëra nga këto gjëra nuk ndodhi këtë radhë, duke bërë që disa ekspertë të pyesin nëse raketat e testuara ishin të vogla apo kanë arritur të shmangin zbulimin nga radarët e Shteteve të Bashkuara dhe ata të aleatëve të saj.
Lëshimi i raketave, nëse konfirmohet, vjen disa ditë pas vizitave në Seul dhe Tokio të Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin dhe Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken.
Administrata e Presidentit Biden, e cila po bënë një rishikim të politikave ndaj Koresë së Veriut, është përpjekur të rifillojë bisedimet me Korenë e Veriut. Por Koreja e Veriut thotë se nuk do t’i përgjigjet thirrjeve për dialog.
Javën e kaluar, Koreja e Veriut kritikoi ashpër stërvitjet e përbashkëta ushtarake SHBA-Koreja e Jugut, duke paralajmëruar kundër atyre që i sheh si veprime provokuese që shkaktojnë një “erë të keqe”.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë nuk kanë komentuar mbi provën e fundit të Koresë së Veriut, e cili do të ishte prova e parë me raketa e Phenianit që nga korriku i vitit 2020.
Prova, e cila përfshinte një raketë kruzë anti-anije dhe fluturoi më pak se 100 kilometra, gjithashtu nuk u raportua për disa javë.
Disa ekspertë të raketave besojnë se prova e fundit e Koresë së Veriut mund të ketë përfshirë edhe raketa kruzë, të cilat fluturojnë më ulët se raketat balistike dhe mund të shmangin radarët.