Kryetari i Komunës së Tuzit në Malin e Zi, Nik Gjeloshaj, ka hedhur akuza ndaj qeverisë në këtë shtet se kanë ndryshuar kufirin ekzistues të komunës me shumicë shqiptare.
Gjeloshaj e ka konsideruar këtë si një veprim antishqiptar, të cilin ka thënë se do ta kundërshtojnë me forcë.
“Gjatë punës së përditshme të sekretariateve tona kemi vërejtur ndryshimin e kufirit tonë. Kanë ndryshuar territorin tonë ashtu që deponinë e kanë kaluar në territorin e kryeqytetit Podgorica. Kështu nuk ka punuar as PDS edhe pse kjo ishte e vetmja pikë kontestuese me ta. Do ta kenë Malësinë para qeverisë, se u kam dhënë një afat, tani urgjentisht duhet ta ktheni linjën administrative të Komunës sonë ashtu siç është miratuar në Kuvendin e Malit të Zi”.
“Një veprim të këtillë antishqiptar nuk do ta durojmë më, sepse nuk është vetëm kjo, por qeveria e Malit të Zi e ka bllokuar edhe pagesën e mjeteve për Komunën tonë, mjete këto të cilat na takojnë sipas ligjit”, ka shkruar Gjeloshaj.
Në fund, ai ftoi “për herë të fundit” bashkësinë ndërkombëtare e cila është e pranishme në Mal të Zi të reagojë, pasi, siç u shpreh Kryetari i Komunës së Tuzit, “qytetarët e Malësisë do të kenë përgjigje të ashpra ndaj këtij provokimi të ri”.