Marrëdhëniet midis trajnerëve dhe ekipeve të tyre mbarojnë aq shpesh sa është vështirë të mbash llogarinë, veçanërisht në futbollin profesionit.
Por dalja nga skena e papritur e Cesare Prandellit, ish-trajnerit të Kombëtares italiane, që dha dorëheqjen nga Fiorentina pas ndeshjes së humbur 3-2 me Milanin, ka edhe një shije të hidhur.
Kjo sepse 63-vjeçari praktikisht i dha lamtumirën botës së futbollit, me një letër të hapur për tifozët dhe opinionin publik.
“Është hera e dytë që lej Fiorentinën. Kësaj radhe, është zgjedhja ime. Këto muaj është rritur brenda meje një hije që ka ndryshuar mënyrën sesi i shoh gjërat. Erdha për të dhënë 100%-in tim, por kam përshtypje që kjo nuk mund të arrihet më. Dhe për të mirën e të gjithëve vendosa”.
Tekniku disa vite më parë la papritur një tjetër ekip, Romën, pak muaj nga marrja e detyrë, për shkak të shëndetit të bashkëshortes, që më pas nuk i mbijetoi një sëmundjeje të gjatë.
Prandelli vijon në letër duke thënë se “jam i ndërgjegjshëm se karriera ime mund të përfundojë këtu, por nuk jam pishman. Ndoshta kjo botë që ka qenë pjesë e jetës time nuk bën më për mua, nuk e njoh më. Ndoshta kam ndryshuar, dhe bota shkon me një shpejtësi që unë nuk e mendoja”.
Tashmë në stolin e Fiorentinës pritet të rikthehet Beppe Iachini, që ishte shkarkuar në mes të sezonit pikërisht për t’i lënë vendin Prandellit.