Në minutën e 87-të të ndeshjes ndaj San Marinos, në krahun e majtë të mbrojtjes kuqezi, u aktivizua edhe 17-vjeçari Mario Mitaj. Ai zëvendësoi Emir Lenjanin, duke shkruar emrin e tij, si një nga futbollistët shqiptarë më të rinj që debutojnë me fanelën e Kombëtares së Shqipërisë.
Mbrojtësi i majtë i AEK-ut të Athinës, pasi më parë ka luajtur me të gjithë ekipet perfaqësues të moshave të Shqipërisë, ndaj San Marinos ka bërë edhe debutimin zyrtar me fanellën kuqezi. Ai ishte saktësisht 17 vjeç dhe 237 ditë.
Më herët, po nën drejtimin e trajnerit Edi Reja, një tjetër i ri ka bërë debutimin me Shqipërinë. Ai është qendërmbrojtësi Ramen Çepele, që në ndeshjen vëllazërore ndaj Kosovës, vitin e shkuar në Elbasan, ka veshur fanelën kuqezi të Kombëtares në moshën 17 vjeç e 235 ditë, pra vetëm dy ditë më herët se sa Mitaj.
Gjithsesi, 17-vjeçarët Ramen Çepele dhe Mario Mitaj janë futbollistët më të rinj në moshë, që kanë veshur dhe debutuar me fanelën kuqezi në historinë e Kombëtares të Shqipërisë. Iljaz Çeço, Blendi Nallbani, e të tjerë, renditen pas këtyre “rekordmenëve”…