Lidhja Demokratike e Kosovës ka pranuar kandidaturën e Vjosa Osmanit për Presidente, por vendimi mund të mos pranohet nga të gjithë deputetët e partisë.
Mediat vendase shkruajnë se ka ende emra të deputetëve të këtij subjekti që thuhet se nuk do të japin votën pro, e madje as nuk do të qëndrojnë në sallë. Këta deputetë duket se nuk do t’i përgjigjen thirrjes së Lumir Abdixhikut, i cili tha se ata duhet të respektojnë qëndrimin e partisë.
Bëhet fjalë për Agim Veliun, Driton Selmanajn dhe Avdullah Hotin, të cilët pritet të veprojnë ndryshe nga vendimi i parties, të cilët kanë qenë edhe protagonistët kryesorë të përplasjeve me Vjosa Osmanin gjatë kohës sa kjo e fundit kritikonte partinë për prishjen e koalicionit me Albin Kurtin.
Në pikëpyetje të madhe është edhe Behgjet Pacolli, si pjesë e grupit parlamentar të LDK’së, i cili ende s’ka treguar qëndrimin e tij final rreth çështjes së presidentit. Këtë pritet ta sqarojë pas takimit që do të ketë me Lumir Abdixhikun.
Këta emra janë pikëpyetjet brenda LDK’së të cilët mund ta çojnë vendin në zgjedhje duke mos marrë pjesë në procesin e votimit për president.
Për zgjedhjen e presidentit të ri duhet një kourum prej 80 deputetësh të pranishëm në sallë. Në rast se nuk arrihet zgjedhja e presidentit vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje. Ka mbetur ende me pikëpyetje lista serbe, anëtarët e të cilës janë të pakënaqur pasi kryeministri Albin Kurti iu akordoi vetëm një pozicion ministror, ndërkohë që ata pretendonin dy.