Ish-ministri i Shëndetësisë, tashmë deputet i Kuvendit të Kosovës, Armend Zemaj, ka deklaruar se nuk kanë pranuar vaksina nga Serbia dhe Kina.
“E di që ka pasur një përkushtim të disave në prapavijë që të merren vaksina ashtu siç kanë marrë disa vende të tjera nga Vuçiçi apo edhe nga Kina, por ne nuk e kemi lejuar një gjë të tillë”, tha Zemaj.
Kuvendi i Kosovës të premten ka mbajtur seancën plenare, ku u diskutua edhe menaxhimi i pandemisë.
Deri më tani autoritetet kanë miratuar një Plan të vaksinimit i cili është i ndarë në tri faza. Në fazën e dytë përfshihen grupmoshat 65-79 vjeç, popullsia me sëmundje kronike, mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë që janë të përfshira në menaxhimin e pandemisë COVID-19.
Kosova është vendi i fundit në rajon që ka nisur vaksinimin anti-COVID, pasi dje morën kontigjentin e parë me 24.000 doza të vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca. Nga COVAX-i, në total Kosova do të marrë falas 100.800 doza të vaksinës kundër COVID-19 të kompanisë AstraZeneca.