Nga Andreas Kluth, Bloomberg
Pandemia Covid-19 ka rindezur debatet e vjetra, duke përfshirë debatin shekullor rreth asaj se cila formë e qeverisjes është më e mirë:një shtet federal apo një shtet unitar. Më e fundit që ri-ngriti këtë çështje, megjithëse në mënyrë të tërthortë, është kancelarja gjermane Angela Merkel.
E entuziazmuar nga perceptimi se Gjermania, një republikë federale me 16 shtete (lande), duket se po lëkundet në menaxhimin e SARS-CoV-2, ajo i tha një gazetari gjatë një interviste televizive se “do të duhet të mendojë se si mund ta trajtojë situatën në nivel federal dhe në mënyrë uniforme”.
Ajo që ka në mendje Merkel është legjislacioni i ri mbi shëndetit publik, që do t’i jepte mundësi autoriteteve federale të rimerrnin disa nga kompetencat që kanë aktualisht landet. Në shumë aspekte, Gjermania është në të njëjtën dilemë si shtetet e tjera federale, nga SHBA-ja dhe Kanadaja, tek Belgjika, Zvicra, Brazil, India dhe Australia:Si të ekuilibrosh autonominë rajonale dhe reagimet lokale fleksibël me koordinimin dhe koherencën kombëtare në mesin e një pandemie?
Në Gjermani, paqartësitë në lidhje me atë se cila nga qeveritë lokale apo qendrore përgjigjet për masat anti-Covid kanë mbjellë kaos dhe konfuzion. 16 guvernatorët e landeve dhe Merkel kalojnë rregullisht netë të gjata duke u takuar dhe diskutuar në kërkim të një politike të përbashkët.
Por më pas kryeministrat e landeve largohen dhe vënë në zbatim masat që duan. Aktualisht, kur Gjermania ndodhet në mesin e një vale të tretë të rasteve masive me koronavirus, disa shtete duan që të shtrëngojnë kufizimet, ndërsa të tjerët – veçanërisht Saarland dhe Berlin – duan që të hapen me kujdes.
Ky debat më frymëzoi për të ri-shfletuar debatet e vjetra në lidhje me raportet midis shteteve unitare dhe atyre federale. Të parat kanë qeveri të forta qendrore, që vendosin se çfarë kompetencash t’u delegojnë politikanëve lokalë. Një shembull klasik është Franca.
Ndërkohë, shtetet federale janë të decentralizuara në mënyrë kushtetuese, në mënyrë që një administratë kombëtare të ndajë zyrtarisht dhe në mënyrë të pakthyeshme pushtetin me rajonet.
Një avantazh i federalizmit, thuhet të jetë sigurimi i një mbrojtjeje kundër tiranëve. Si demokracitë unitare ashtu edhe ato federale krijojnë kontrolle dhe ekuilibra duke i ndarë degët ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore të qeverisë. Por shtetet federale kanë mbrojtjen shtesë të “pikave të vetos” në rajone. Me legjitimitetin e vet, shtetet mund t’i rezistojnë kapjes së pushtetit nga qendra.
Një përfitim tjetër është se qeveritë lokale në një shtet federal, janë mesa duket në një pozitë më të mirë sesa autoritetet qendrore për t’i përputhur politikat me preferencat e popullatave
të tyre rajonale. Kjo gjë çon në dallime të mëdha, për shembull midis disa kantoneve gjermanisht-folëse të Zvicrës dhe atyre frankofone apo italisht-folëse.
Në këtë kuptim, federalizmi është i favorshëm për pluralizmin dhe diversitetin.Për më tepër, ndërsa rajone të ndryshme ndryshojnë politikisht, ato bëhen “laboratorë të demokracisë”, dhe terreni për një garë në vazhdim për gjetjen e politikat që funksionojnë më mirë.
Në SHBA, Kalifornia ka qenë shpesh lidere në vendosjen e standardeve të larta mjedisore. Në Indi,shteti i Keralas ndërmori i pari disa reforma në sistemin arsimor, që më vonë u bënë një model për të tjerët. Gjithsesi, këto përparësi vijnë me një kosto nga pas.
Në mënyrë të pashmangshme, disa funksione të qeverisë përfundojnë duke u dubluar, gjë që është joefikase, dhe mund të çojë në probleme me koordinimin. Duke dubluar në vend se të ndajnë përgjegjësi të caktuara, shtetet e humbin ekonominë e shkallës.
Për shembull, nëse jeni duke u përpjekur të prezantoni të dhëna elektronike mjekësore,
është më e lirë dhe më e dobishme të keni një sistem kombëtar dhe të madh, sesa shumë sisteme të fragmentuara, ose atë që gjermanët e quajnë një “jorgan lara-lara”.
Një tjetër disavantazh, është ai që Merkel e vuri në dukje në intervistën e saj në televizion, kur gazetari vuri në dukje se federalizmi gjerman duket se është bërë një formë e “papërgjegjësisë së organizuar”. Udhëheqësit rajonalë po fajësojnë për problemet autoritetet federale, dhe këto të fundit po i akuzojnë për të njëjtën gjë. Nëse teoria është se federalizmi i bën politikanët më të përgjegjshëm, praktika tregon ndonjëherë të kundërtën.
Atëherë, cili sistem do të triumfonte në kohëra normale? Është e vështirë të thuhet më saktësi, pasi në lojë hyjnë shumë faktorë të tjerë, nga traditat ligjore tek historia dhe kultura. Një studim i vitit 2012, përpunoi shumë të dhëna dhe arriti në përfundimin se ka “prova të forta empirike që mbështesin unitarizmin”.
Statistikisht një shtet unitar është i lidhur me një rregullim më të mirë, prosperitet më të lartë, vdekshmëri më të ulët foshnjore, jetëgjatësi më të madhe, me një nivel arsimor më të lartë të popullatës etj. Mbështetja për unitarizmin mund të duket edhe më e fortë tani, në një kohë që është çdo gjë tjetër veç jo normale.
Gjatë një fatkeqësie tjetër, Uraganit Katrina në vitin 2005, disa njerëz fajësuan përreagimin e dobët të SHBA-së, mungesën e një përgjigje vendimtare dhe të koordinuar nga Uashingtoni, pra federalizmin e tepruar. Kjo është ajo që synon të shmangë Merkel në këto momente.
E megjithatë, një vështrim nëpër botë nuk e vërteton qasjen e saj. Brazili federal ka dështuar kundër Covid-19, por Australia federale po bën shumë mirë përballë pandemisë. Nga ana tjetër, Koreja Jugore unitare dhe Vietnami duket se e kanë nën kontroll virusin, por Irlanda, Hungaria dhe Franca unitare nuk e kanë.
Kur SHBA-ja centralizoi një aspekt të luftës së saj kundër koronavirusit-blerjen e vaksinave – pati sukses. Kur Bashkimi Evropian (më shumë një konfederatë), u përpoq të bënte të njëjtën gjë, dështoi. Është pra e qartë, që federalizmi dhe centralizimi në vetvete, nuk janë as problemi dhe as përgjigja.
Ndaj,këshilla ime për Merkel dhe të tjerët është që të kenë shumë kujdes me centralizimin. Lërini autoritetet federale të drejtojnë kudo që kërkohen burime të mëdha. Mbi të gjitha, në blerjen e testeve dhe vaksinave për të gjithë popullsinë.
Por, lërini udhëheqësit rajonalë të vendosin nëse normat e tyre lokale të infeksionit lejojnë apo jo rihapjen e shkollave, restoranteve, dhe me çfarë masash paraprake. Nëse punët bëhen mirë, ky lloj federalizmi nuk është i dobët, por i saktë.
Dhe nëse Merkel dhe të ngjashmit e saj kërkojnë një pezullim të federalizmit, të paktën le ta garantojë me ligj që ky hap është i përkohshëm, dhe së shpejti do të anulohet. Po, federalizmi mund të jetë joefikas. Por, si një liberal klasik unë mendoj se ai ndihmon ende në garantimin e lirisë në planin afatgjatë. Dhe kjo nuk është diçka nga e cila mund të hiqet dorë shumë lehtë. /abcnews