Vjosa Osmani Sadriu është zgjedhur Presidentja e Kosovës ditën e sotme. Ajo është e dyta grua që mban postin e Kreut të Shtetit si dhe e gjashta në radhë. Karriera politike e Osmanit ka filluar në vitin 2006 ku ka qënë Shefja e Shtabit dhe këshilltare e Presidentit të atëhershëm Fatmir Sejdiu. Osmani ka qënë deputete në katër mandarte në Kosovë, duke u bërë deputetja e Kosovës më e votuar në të gjithë historinë e zgjedhjeve parlamentare, si dhe politikania e dytë më e votuar në Kosovë.
Në vitin 2020 Osmani mori postin e Kryetares së Kuvendit, duke u bërë gruaja e parë në këtë post, ndërkohë që po atë vit ajo u bë edhe Presidentja e Kosovës pas dorëheqjes së Hashim Thaçit. Ajo njihet si opozitare e përhershme e ish-presidentit Thaçi, në çdo pozitë që ajo ka mbajtur.
STUDIMET:
Vjosa Osmani Sadriu u lind më 17 maj 1982 në Mitrovicë, në Kosovë. Shkollimin fillor dhe të mesëm e ka mbaruar në Mitrovicë, ndërkaq Fakultetin e Drejtësisë e ka mbaruar në Universitetin e Prishtinës. Studimet Master dhe studimet e Doktoraturës i ka të mbaruara në Universitetin e Pittsburghut në Pensilvani, ShBA.
Që nga viti 2006 ka ligjëruar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa si profesor vizitor ka ligjëruar edhe në Universitetin e Pittsburghut në ShBA. Për disa vite ka ligjëruar edhe në RIT – Kosovo (AUK), Kolegjin AAB – Riinvest si dhe ka mbajtur ligjërata tematike në universitete të tjera në Evropë e në ShBA. Nga Universiteti i Pitsburgut është nderuar me çmimin “Sheth International Award”.
Është anëtare e Bordit të Rrjetit Parlamentar të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe anëtare në Komisionin Drejtues të Deputetëve të rinj të Bankës Botërore dhe FMN-së. Flet gjuhën angleze, turke, serbokroate dhe komunikon në spanjisht.
KARRIERA POLITIKE:
Gjatë viteve 2006-2010, Vjosa Osmani ka shërbyer si Shefe e Stafit të presidentit Sejdiu dhe Këshilltare e Lartë për çështje Ligjore dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare.
Ajo ka përfaqësuar Presidentin në Komisionin për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ka qenë anëtare e ekipit përfaqësues të Republikës së Kosovës në rastin para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Ajo është zgjedhur deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës në katër mandate, kështu duke u bërë gruaja më e votuar në histori të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë si dhe politikania e dytë më e votuar në zgjedhje parlamentare. Në mandatet e kaluara ajo ka udhëhequr Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, Komisionin për Integrime Evropiane dhe ka qenë Nënkryetare e Komisionit për Reformë Kushtetuese.
Më 3 shkurt 2020, Vjosa Osmani u zgjodh kryetarja e parë grua e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Më 5 nëntor 2020, ajo mori detyrën e u.d. si Presidente e Republikës së Kosovës.
Viteve të fundit ka pasur shumë përplasje me udhëheqjen e LDK-së, për shkak të qëndrimeve ndryshe prej partisë. Në vitin 2019, ajo ishte kandidate për kryeministre nga radhët e LDK-së, por humbi zgjedhjet e kryeministër u bë Albin Kurti, si fitues i tyre.
FAMILJA:
Vjosa Osmani është e martuar dhe ka dy vajza binjake. Ajo me familjen e saj jeton në Prishtinë.