Nga Robin McKie, The Guardian
Kjo ka qenë një javë e tensionuar për të gjithë personat e shqetësuar në lidhje me heqjen e kufizimeve të Covid-19.
Numrat e rasteve dhe viktimave mund të jenë në rënie, por lajmi se vaksina AstraZeneca ka shkaktuar tek disa pacientë mpiksje gjaku dhe është pezulluar për përdorim tek të rinjtë në Gjermani dhe Holandë është shqetësues.
AstraZeneca është shpresa kryesore që Britania ka për ti dhënë fund pandemisë. Nuk është hera e parë që kjo vaksinë është bërë pjesë e gjeopolitikës dhe dobia e saj është në dyshim.
Ekziston frika se vaksina mund ka shkaktuar vdekjen te 7 persona midis një totali prej 30 rastesh të rralla të mpiksjes së gjakut. Këto 30 raste ndodhën midis 18 milion personave pasi u vaksinuan me AstraZeneca, një rrezik prej më pak se një në 500,000.
Por çfarë do të ndodhte nëse nuk do të vaksinoheshin 500,000 persona të moshës së mesme, për një muaj?
Rreth 85 do të shtroheshin në spital dhe rreth pesë do të vdisnin nga Covid. Këto shifra zbulojnë fuqinë e vaksinimeve që kanë parandaluar tashmë më shumë se 6,000 viktima nga Covid në Mbretërinë e Bashkuar, raporton abcnews.al
As nuk është e qartë se ekziston një lidhje midis AstraZeneca dhe mpiksjes së gjakut. Sidoqoftë, edhe nëse ekziston një lidhje e tillë, duhet të kemi parasysh se midis shumë ndikimeve të Covid, përfshihet edhe mpiksja e gjakut.
Ç’është më e rëndësishmja, shanset për të zhvilluar një mpiksje gjaku përmes Covid janë më të mëdha sesa shanset për të zhvilluar një mpiksje gjaku nga vaksina.
Sidoqoftë, një pjesë e Europës ka kufizuar përdorimin e saj në një kohë kur shumë kombe po vuajnë nga vala e tretë e Covid-19 dhe kanë thënë se janë të dëshpëruar për furnizimet e vaksinave.
Merrni parasysh Gjermaninë. Fillimisht vendosi të mos përdorte AstraZeneca për personat e moshuar për shkak të pasigurisë ndaj vaksinës. Më pas e miratoi për të gjithë qytetarët e saj. Dhe më pas ndryshoi mendim përsëri javën e kaluar, duke pezulluar përdorimin e AstraZeneca te të rinjtë.
Një gjë e tillë është absurde dhe e dëmshme. Besimi i publikut tek vaksinat është thelbësor në shpëtimin e botës nga makthi i Covid.
Sinjalet e përziera nga Gjermania – Holanda dhe shumë kombe të tjera europiane janë shqetësuese.
Në Mbretërinë e Bashkuar, kjo ka shkaktuar frikë midis zyrtarëve të lartë të shëndetit publik se një numër në rritje i të rinjve, mund të refuzojnë të vaksinohen me AstraZeneca.
Por nëse siguria e saj minohet vazhdimisht nga rregullatorët kombëtarë në të gjithë Europën, vendet në zhvillim do të hezitojnë ta përdorin atë.
Pse duhet të pranojnë vendet e tjera një vaksinë që shoqëria perëndimore po e refuzon?
Kate Bingham, e cila udhëhoqi Taskforcën shumë të suksesshme të fushatës së vaksinimit në Britani, e ka përshkruar kompaninë Britanike-Suedeze si “hero” për mënyrën se si siguroi një vaksinë të sigurt, efektive, e zhvilluar për herë të parë në Universitetin e Oksfordit dhe tregoi keqardhjen e saj duke thënë se besimi ndaj vaksinës është gjeopolitik.
Bota ka nevojë për më shumë se 11 miliardë doza për të vaksinuar 5.8 miliardë persona në të gjithë botën që të shpëtojmë nga Covid.
Deri më sot, janë administruar më shumë se 600 milion doza . 3 miliardë doza që janë premtuar nga AstraZeneca këtë vit do të bëjnë një ndryshim të madh në mbrojtjen e njerëzimit. Megjithatë, ajo po shmanget për motive të diskutueshme.
Pasi nuk e mori seriozisht situatën e Covid në fillim, duke mos vendosur bllokime, apo duke pasur një program të vonuar të testim dhe gjurmimit, Britania e Madhe ka triumfuar me programin e saj të fushatës së vaksinimit ndërsa BE ndodhet ende shumë prapa, raporton abcnews.al
Por ndërsa Covid vazhdon të përhapet në të gjithë Europën, kufijtë e Britanisë do të duhet të qëndrojnë të mbyllur. Sigurisht, askush nuk është i sigurt derisa të gjithë të jenë të sigurt dhe është pikërisht kjo arsyeja të gjithë duhet të vaksinohen.
Dyzet vite më parë, kur pandemia e AIDS u shfaq për herë të parë, shkencëtarëve iu deshën katër vite për të zhvilluar një test që mund të përcaktonte nëse njerëzit ishin të infektuar, një hap i parë i rëndësishëm për të gjurmuar këtë sëmundje.
Me Covid-19, shkencëtarët zhvilluan një test në më pak se një muaj, ndërsa vaksinat u miratuan brenda një viti. Përparimi i shkencës ka bërë të mundur mbijetesën e kësaj pandemie, dhe jo vetëm në mjekësi.
Problemi është që nëse shkenca dhe teknologjia veprojnë më vete, kjo është e papërshtatshme për të trajtuar katastrofa të tilla si Covid-19. Bota gjithashtu ka nevojë për politikanë, shërbime shëndetësore dhe shërbime civile që mund t’i përdorin këto dhurata me aftësi dhe inteligjencë.
Furnizimi me këto atribute ka qenë i paqëndrueshëm në shumicën e vendeve perëndimore. Britania ia ka dalë në fushatën e saj të vaksinimit, por kjo nuk është një garanci se nuk do të rikthehet në kaosin e vitit të kaluar të Covid.
Ende ka shumë për të bërë. abcnews.al)