Zgjedhja e Vjosa Osmanit si presidente e Kosovës pas shumë përpjekjesh, mori vëmendje edhe në mediat ndërkombëtare.
“Reuters” e nis artikullin duke thënë se Vjosa Osmani, një juriste me profesion, u shkollua në SHBA dhe se ishte kandidatja e Vetëvendosjes për postin e presidentes.
“Vjosa Osmani ishte në detyrë si presidente e Kosovës që nga nëntori i vitit të kaluar kur paraardhësi i saj, Hashim Thaçi, dha dorëheqje për shkak se u përball me gjyq për krime lufte në Holandë. Ish Presidenti Thaçi, një hero i kohës së luftës që u kthye në politikan, është aktualisht në Hagë në pritje të gjyqit para gjykatës së krimeve të luftës në Kosovë me qendër në Hollandë. Ai ka mohuar akuzat kundër tij”, shkruan Reuters.
Për zgjedhjen e Osmanit presidente shkroi edhe e famshmja gjermane “Deutsche Welle” e cila në rreshtin e parë e quan atë lidere karizmatike.
“Liderja karizmatike 38 vjeçare mori mbështetjen nga parlamenti në një votim që u bojkotua nga parta serbe. Ish-presidenti Hashim Thaçi e la postin në nëntor pasi u akuzua për krime lufte”, nis shkrimi i DË.
Gazeta turke “Anadolu Agency”, shkruan ndër të tjera: “E martuar dhe me dy fëmijë, Osmani flet anglisht, turqisht, spanjisht dhe serbisht përveç gjuhës amtare shqip. Në vërejtjet e saj në parlament pas zgjedhjeve, Osmani përmendi periudhat e vështira që e çuan Kosovën drejt lirisë dhe pavarësisë.”
Vjosa Osmani është zyrtarisht Presidentja e gjashtë e Kosovës. Me 71 vota, Osmani është bërë e dyta grua që mban këtë post dhe drejton shtetin e Kosovës. Me brohoritje dhe duartrokitje, Osmani foli nga salla e Kuvendit, ku premtoi drejtësi Kosovën dhe deklaroi se nuk do të ndalej deri në momentin që Serbia të japë llogari për masakrat e kryera gjatë luftës.