Policia e Kosovës ka njoftuar se një person ka telefonuar dhe ka kërcënuar se do të sulmonte dikë në spital.
Me të marrë këtë telefonatë nga ky person i paidentifikuar që poashtu nuk tregoi se në cilin qytet do të bënte sulmin, policia është mobilizuar për sigurinë e spitaleve në të gjithë Kosovën për arsye parandaluese.
Sipas Insajder, ishte zëdhënësi i PK-së për rajonin e Veriut, Besim Hoti, i cili njoftoi për rastin, duke thënë se që nga mëngjesi, pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë ndaluar automjetet që hyjnë në zonën ku ndodhet Qendra Shëndetësore në Mitrovicën e Veriut dhe po i kontrollojnë të gjitha veturat.
“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe trajton ç’do informacion apo rast të raportuar, të ç’farëdo natyre apo vepre penale. Të gjitha veprimet e nevojshme i ndërmerr konform autorizimeve ligjore në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, me qëllim të ofrimit të sigurisë, parandalimit të veprimtarive kriminale si dhe ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike në vend”, thuhet paraprakisht në përgjigje.
Paraprakisht, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Besim Hoti, ka thënë se pjesëtarët e Policisë janë mobilizuar në gjithë Kosovën për t’i siguruar spitalet.
“Policia u kontaktua nga një person i cili kërcënoi të sulmonte dikë në spital, por pasi që ky person nuk tregoi se kush ishte dhe në cilin qytet do të kryente sulmin, Policia, për arsye parandaluese, po siguron spitalet në të gjithë Kosovën derisa të zbulojmë më shumë informacion”,- tha Hoti.