Qendra Kulturore Shqiptaro – Amerikane vijon misionin për të ndihmuar familjet në nevojë. Në këtë situatë pandemie, qendra dhe xhamia kanë grumbulluar ndihma për njerëzit e varfër në Nju Xhersi.
“Sot shfrytëzojmë rastin për të falenderuar Imamët e Qendrës sonë z.Arun Pollozhani dhe Festim Koxhaxhiku si dhe Kryetarin Burim Zhuta, Këshillin Drejtues në Qendrën Kulturore Shqiptaro – Amerikane dhe gjithë Anëtarët si Nexhmi Ibrahimi dhe shumë të tjerë donator që mundësojnë grumbullimin e ndihmave për njerëzit e varfër këtu në Nju Xhersi. Virusi Covid-19 jo vetëm që mori mbi gjysmë milioni njerëz në ShBA por ka shkaktuar edhe krizi materiale te disa familje amerikane. Kështu sipas statistikave amerikane në SHBA, për ushqim ditor kanë nevojë urgjente, mbi shtatëdhjetë milionë banorë. Ndërsa ka mbi dymbëdhjetë milionë fëmijë që bien të flenë pa darkë!” shkruan “Qendra Kulturore Shqiptaro – Amerikane”.
Duke e parë këtë situate të vështirë “Qendra Kulturore Shqiptaro – Amerikane” dhe përfaqësues të xhamisë vendosën që të ndihmojnë familjet në nevojë. Aksionit humanitar iu përgjigjën bashkatdhetarët shqiptarë në Nju Xhersi, në grumbullimin e ndihmave.