Labinot Gashi dhe Njazi Hoxha janë kushërinj me njëri tjetrin dhe kanë arritur të hapin një restorant të suksesshëm italian në Tyler, Teksas të SHBA-ve.
Ata janë rritur me gjyshin e tyre që e kujtojnë si një kuzhinier fantastik italian. Dikur ai kishte restorantin e tij në Shqipëri, shumë afër Italisë ku traditat mes dy vendeve ishin të përbashkëta, shkruan TaylerPaper.
Sot bashkëpronarë të “Roma’s Kitchen Italian” kujtojnë se gatimin e kanë mësuar që të vegjël. “Fillova të bëjë spageti me pak salcë marinara, nga e para, gjithçka e freskët. Kështu na mësoi gjyshi ynë”, thotë Gashi duke kujtuar një pjatë që ishte specialitet i gjyshit të tij.
Emri i restorantit të tyre vjen nga kryeqyteti italian, Roma që sipas Labinotit ka një traditë dhe kjo ishte arsyeja që mbajtën këtë emër. Megjithatë ky nuk është restoranti i parë i tyre. Rreth 15 vite më parë ata kishin restorantin e tyre në Nju Jork, por pas 10 vjetësh me këtë biznes themeluan këtë restorant në Teksasin Lindor. Ndërsa familja tyre ka gjithahtu restorante të kuzhinës italiane në Itali dhe Shqipëri, në total rreth 20 të tillë. Labintoi shërben si menaxher i kuzhinës ku ka pritshmëri të mëdha për sa i përket cilësisë së ushqimit. “I bëjmë këtu makaronat, kemi recetat tona. Unë thjesht u siguroj recetat punonjësve dhe ua them atyre që bëhet në këtë mënyrë. Dua thjesht të sigurohetm që ata të bëjnë punën e duhur”, rrëfen ai.
Dita-ditës dhe kushëriri i tij Njaziu ka të njëjtën detyrë si Gashi. Ata përgatisin herët në mëngjes kuzhinën dhe restorantit e bukur e të gjerë ku ka gjithashtu dhe dhoma private për të organizuar festa ditëlindjesh etj.
“Mendoj se ka të bëjë shumë cilësia. Ne e bëjmë gjithçka nga e para, nuk përdorim mikrovalë apo gjëra të tilla. Nuk e ngrohim përsëri ushqimin, gjithçka bëhet nga e para, salca, makaronat, ushqimi, gjithçka. Përdorim majdanoz të freskët, hudhër të freskët, bimë italiane dhe kjo është cilësia mendoj unë”, thotë Hoxha.
Për herë të parë në Tyler kuzhina hapi dyert në fund të shkurtit dhe për kushërinjtë është një arritje, pas restorantit në Nju Jork dhe të tjerëve të familjes në Itali e Shqipëri. “Na pëlqen si na trajton komuniteti, na ndihmuan në gjithçka, na mbështetën shumë, kështu që planifikojmë të ndërtojmë një perandori këtu dhe shpresojmë se do të jemi për shumë vite këtu”, thotë ai më tej.