Kryeministri Edi Rama këtë të enjte ka qenë i ftuar në emisionin Log. me gazetarin Endri Xhafo ku ka komentuar situatën e krijuar një ditë më parë në aeroportin e Rinasit, pas grevës së kontrollorëve.
Kryesocialisti në fjalën e tij në ABC është shprehur se sot është arritur që ti jepet drejtim ngërçit të krijuar një ditë më parë duke bërë që nesër të nisin normalisht fluturimet.
Rama ndër të tjera ka bërë me dije se pas komunikimit me ministren është arritur që dhe një pjesë e kontrollorëve të përfshirë në grevë, do të kthehen nesër në punë sëbashku me kontrollorët e ardhur nga Turqia.
“Çështja mund të diskutohet por është një çështje e zgjidhshme tashmë dhe sot kanë filluar fluturimet esenciale dhe nesër vijojnë normalisht. Ne nuk jemi gjendur gafill kemi pasur informacion në lidhje me këtë dhe kemi bërë përpjekje për ti sjellë në vete ato që i hynë kësaj ndërmarrje marrëzire të shtyrë dhe të orkestruar.
Ministrja deri në fund ka qenë në komunikim me të dhe ne menjëherë kemi vënë në zbatim planin e hartuar. Pas thirrjes së bërë nga unë dhe nga ministrja një pjesë e tyre janë rikthyer por kjo punë nuk mbaron me kaq pasi do të bëhet një proces i vëmenshëm. Kemi pasur përgjigje nga kontrollorët e Turqisë dhe kemi dhe një grup tjetër nga Greqia që pritet të vijë nesër në vendin tonë”, ka thënë Rama.
Rama u shpreh se grusht shteti është fjalë e madhe por i mëshoi deklaratës se kriza në Rinas u stis nga presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha me bindjen që nuk do zgjidhej deri për zgjedhje.
“Nuk ka asnjë problem të kësaj natyre, ata do të qëndrojnë këtu. Është një akt solidariteti në kushte të rënda dhe të pakuptueshme për askënd. Këtu ishim në këtë pikë si pasojë e një marrëzie të stimuluar nga Ilir Meta dhe të mbështetur nga Sali Berisha. Grusht shteti është fjalë e madhe shumë. Nuk e kam përdorur asnjëherë. Grushti është grusht nuk diskutohet. Që është grusht në një moment pikat për të krijuar një situatë konfuzioni. Nuk është se kanë ndonjë qëllim të nxisim gjëra të tilla”, tha Rama.