Sot shënohet 22-vjetori i Betejës së Koshares, e cila u zhvillua më 9 Prill të vitit 1999 në kuadër të Operacionit Shigjeta, ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së) dhe Ushtrisë së Jugosllavisë (JNA-së). UÇK-ja mori mbështetje nga Ushtria e Shqipërisë dhe nga forcat ajrore të NATO-s.
Kjo është një ndër betejat më të përgjakshme dhe më të suksesshme të Luftës së Kosovës. Në këtë betejë Ushtria Jugosllave e humbi kontrollin e kufirit Kosovë-Shqipëri, e cila ishte një fitore e madhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke i detyruar ushtarët serbë të largohen nga kufiri dhe duke e mundësuar kalimin e sigurt të armëve dhe vullnetarëve nga Shqipëria për në Kosovë.
Beteja e Koshares zgjati nga 9 Prilli deri më 10 Qershor 1999, kur edhe unënshkrua Marrëveshja e Kumanovës e cila i dha fund Luftës së Kosovës.
Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë më 9 prill të vitit 1999, shënoi jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës. Triumfi i luftëtarëve nga mbarë trojet shqiptare, të bashkuar në Brigadën 138, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani, bëri që të shembet muri gati 100 vjeçar i vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.
Beteja e Koshares ishte njëra ndër hallkat më të fuqishme në zinxhirin e pakëputshëm të historisë kombëtare dhe si e tillë do të përkujtohet gjithmonë ndër shqiptarë.
Më 9 Prill të vitit 1999 në orën 05:00 të mëngjesit, 136 luftëtarë të UÇK-së e thyen kufirin dhe sulmuan batalionin e 53-të kufitar të Brigadës së Motorizuar Jugosllave 549, e cila përkrahej nga policia serbe, ushtarët serbë dhe mercenarët rusë.
Ushtarët e UÇK-së sulmuan në 3 drejtime: Drejtimi i parë ishte drejt Rrasës së Koshares, Drejtimi i dytë ishte drejt Bazës Ushtarake Serbe “Karaulla” dhe Drejtimi i tretë ishte drejt Majës Gllava. Në atë kohë rreth 300 ushtarë serbë ishin vendosur në vijën e frontit. Luftimet e ashpra zgjatën 6 orë. Nga ana e UÇK-së ranë dëshmorë 4 luftëtarë dhe u plagos 1, kurse nga ana e Ushtrisë Jugosllave u vranë 23 ushtarë serbë.
Më vonë UÇK-ja e mori Rrasën e Koshares dhe menjëherë filloi të përforcohet. Të nesërmen më 10 Prill, me mbështetje të artilerisë, UÇK-ja arriti që ta marrë edhe Majën Gllava dhe filloi ta bombardojë Bazën ushtarake serbe të Koshares, gjë që i detyroi ushtarët serbë të largohen nga pozicionet e tyre dhe e braktisën bazën e tyre. Në orën 19:00 të mbrëmjes, ushtarët e UÇK-së arritën që të hynin në Bazën serbe dhe konfiskuan një sasi të armëve dhe uniformave ushtarake serbe, poashtu dhe rezerva ushqimore që i kishin lënë ushtarët serbë.
Forcat Serbe u tërhoqën më pas drejt vijës së dytë të mbrojtjes mbi Bazën. Ato pozicione ishin shumë më të lehta për t’u mbrojtur. Të nesërmen, ushtarët rezervistë serbë mbërritën për të lehtësuar Ushtrinë e Parë. Një grup i ushtarëve të UÇK-së arritën që t’a ndërprejnë vijën e komunikimit jugosllav dhe e shkatërruan një automjet ushtarak jugosllav transportues të blinduar. Gjatë natës, UÇK-ja e sulmoi Ushtrinë Jugosllave në Opijaz, duke u përpjekur të shkatërronte rezistencën e ushtarëve serbë, por me pak sukses. Atë natë ranë disa dëshmorë. Të nesërmen UÇK-ja përsëri i sulmoi pozicionet serbe, dhe arriti që t’a thyejë rezistencën e vijës së dytë mbrojtëse të Ushtrisë Jugosllave, duke i shkaktuar humbje të mëdha në ushtarë. Ndërkohë Ushtria Jugosllave arriti që të sjellë Forcat e saj Speciale dhe gjithashtu disa copa artilerie.
Më 13 Prill, pati përleshje mes Ushtrisë Shqiptare dhe Ushtrisë Jugosllave në kufirin pranë Krumës.