Komisioni Europian ka vendosur të mos rinovoje kontratat e vaksinave anti-Covid vitin e ardhshëm me kompanitë farmaceutike AstraZeneca dhe Johnson & Johnson (J&J), shkruan e përditshmja italiane La Stampa, duke cituar një burim nga Ministria italiane e Shëndetësisë.
“Komisioni Europian, në marrëveshje me udhëheqësit e shumë vendeve të unionit (BE), ka vendosur që kontratat me kompanitë të cilat i prodhojnë vaksina (me vektorë viralë) të vlefshme për vitin aktual nuk do të rinovohen më, pas skadimit të tyre”.
Ai shtoi se Brukseli do të preferonte të përqendrohej te vaksinat, në zhvillimin e të cilave përdoret teknologjia e mARN* (ARN mesazhere) të tilla si Pfizer dhe Moderna.
Një zëdhënës i Komisionit tha se po mbahen të gjitha opsionet e hapura për t’u përgatitur për fazat e ardhshme të pandemisë, për vitin 2022 dhe më tej.
“Megjithatë, nuk mund të komentojmë mbi çështjet kontraktuale,” shtoi zëdhënësi. Ministria italiane e Shëndetësisë nuk pranoi të komentojë për gazetën.
Komisioni Europian po kërkon sqarime të mëtejshme nga J&J rreth njoftimit “plotësisht të papritur” të kompanisë për vonesat në dërgesat e vaksinave anti-Covid në Bashkimin Europian”, tha një zyrtar i BE-së për Reuters.
*Vaksinat e m-ARN-së (ARN mesazhere) përmbajnë material nga virusi që shkakton COVID-19 dhe u jep qelizave tona udhëzime se si të krijojmë një proteinë të padëmshme që është unike për virusin.