Ndarje e të ardhurave dhe një tavan shpenzimesh (thënë më parë nga Florentino Perez, i cili foli për kufizimet e pagave dhe shpenzimeve të tjera të barabarta me 55% të xhiros së klubeve): këto do të ishin pikat kyçe të Super League, kompeticioni i shpallur nga 12 klube të mëdha europiane, i cili do të revolucionarizonte botën e futbollit.
Mënyrat e shpërndarjes së burimeve janë konfirmuar nga Financial Times, të cilat u ngjajnë shumë strukturës së kampionateve kryesore sportive amerikane. Pavarësisht reagimit në mesin e tifozëve, politikës së futbollit dhe ekspertëve, klubet e Super League po çojnë përpara projekt që mund t’i bëjë ata të fitojnë deri në 4 miliardë euro në sezon nga të drejtat televizive dhe sponsorët.
Kjo shifër është dyfish më e lartë se ajo që shpërndahet nga Champions League, kompeticioni kryesor për klube në kontinent. Sipas së përditshmes britanike, 15 “klubet themeluese” të Super League do të ndajnë 32.5% të këtyre të ardhurave komerciale.
Një tjetër 32.5% do të ndahet mes gjithë 20 shoqërive pjesëmarrëse, duke përfshirë edhe pesë klubet e ftuara të luajnë në kompeticion çdo vit. 20% e të ardhurave do të jepet në bazë të meritës apo performancës në kompeticion. 15% do të ndahet në bazë të audiencës televizive.
Sipas zërave, modeli i shpërndarjes do t’i siguronte fituesit të turneut shpërblime 1.5 herë më shumë në krahasim me klubin që do të arkëtonte më pak. Në strukturën e tij, modeli i ngjan më shumë atij të ligave amerikane si NBA dhe NFL.
Megjithatë, në rastin e Super League-s, do të ishte një goditje e vërtetë e mënyrën se si futbolli europian është qeverisur ndër vite, me strukturën e tij “piramidale”, e cila i garanton çdo ekipi, nëpërmjet ecurisë në fushë, mundësinë e arritjes së çmimeve më të larta.
Një tjetër karakteristikë e përbashkët e “franchize” amerikane është kufizimi rigoroz i shpenzimeve. Klubet e Super League janë zotuar të përdorin vetëm 55% të të ardhurave të tyre për shpenzime sportive, si pagat e lojtarëve, transferimet dhe komisionet për agjentët. Klubet europiane zakonisht shpenzojnë 70 – 80% për personelin (UEFA ka rekomanduar një limit prej 70%).