Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti takoi sot ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott.
Zyra e kryeministrit njofton se ambasadori Abbott i dorëzoi kryeministrit Kurti letër urimin nga kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, me rastin e marrjes së detyrës së udhëheqjes së Qeverisë së Kosovës.
“Në letër urim, kryeministri Johnson e vlerëson lart miqësinë e afërt historike mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ai rithekson zotimin e Mbretërisë së Bashkuar për integrimin e Kosovës në komunitetin ndërkombëtar dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, – thuhet në njoftimin e bërë nga zyra e Kryeministrit.
Sipas Telegrafit, në vazhdim të letrës, kryeministri Johnson shpreh vullnetin për të punuar së bashku me kryeministrin Kurti, për të ndihmuar në sigurimin e stabilitetit e prosperitetit për Kosovën dhe të rajonit.
“Ai thekson se mirëpret dhe mbështet prioritetet e përcaktuara nga qeveria për fuqizimin e sundimit të ligjit, luftimin e korrupsionit dhe luftimin e pandemisë COVID-19.Në përmbyllje të urimit, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar shpreson që rezultati historik nga zgjedhjet e 14 shkurtit do të ofrojë mundësi të reja për Kosovën për progres në dialogun me Serbinë. Ai rithekson se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të ofrojë asistencë teknike për të mbështetur kryeministrin Kurti në programin ambicioz të reformave”,- vijon njoftimi.
Gjatë takimit, kryeministri Kurti dhe ambasadori Abbott biseduan për hapat konkret për bashkëpunimin e mëtejmë mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.