Dita Botërore e Tokës (Earth Day) është manifestimi më i madh mjedisor kushtuar planetit dhe festohet çdo vit prej 51 vitesh.
E lindur në vitin 1970 për të ndërgjegjësuar botën mbi rëndësinë e ruajtjes së burimeve natyrore të Tokës, në vitet e fundit ia ka dalë të mobilizojë më shumë se 1 miliard persona në 193 vendet e përfshira në Kombet e Bashkuara.
Sot, Dita Botërore e Tokës është bërë instrumenti më i fuqishëm që lidhet me mbrojtjen e planetit në të gjitha kulturat dhe për gjithë brezat. Sipas Kombeve të Bashkuara, Earth Day festohet çdo vit, një muaj e dy ditë pas ekuinoksit të pranverës, më 22 Prill.
Tema – Riparimi i dëmeve
Çdo vit ka temën e tij. Tema e këtij viti e Ditës Botërore të Tokës është “Restore Our Earth” – riparimi dhe rehabilitimi i planetit (nga dëmet e shkaktuara). Qëllimi nuk është vetëm ndërgjegjësimi i njerëzve mbi nevojën për të reduktuar ndikimin mjedisor nëpërmjet përdorimit të proceseve natyrore, si edhe përdorimi i teknologjisë së gjelbër dhe teknikave inovative. Por edhe përpjekja për të riparuar dëmet. Sepse shpëtimi i Tokës nuk është më vetëm një mundësi, por një nevojë.
Dita e Tokës 2021 – Fjalët e rendit
Fjalët e rendit janë mbrojtja dhe qëndrueshmëria mjedisore. Objektivat janë mbrojtja më e madhe dhe shpëtimi i planetit.
Dita e Tokës, fjalët e reja për ata që e duan planetin
Për të mbrojtur planetin janë të nevojshme energji të reja dhe fjalë të reja. Një mjet gjuhësor i dobishëm është i rëndësishëm për të përshkruar rizbulimin e marrëdhënies midis njerëzve dhe Tokës, si dhe tendencat për një mënyrë jetese më të qëndrueshme.
Fjalë të reja për të përshkruar trendet dhe stilet e jetesës më të qëndrueshme
Solastalgia, ungardening, wish-cycling dhe shumë fjalë të tjera të reja kanë lindur pas rritjes së ndërgjegjësimit për mjedisin.
Janë fjalë që përshkruajnë rizbulimin e marrëdhënies mes njerëzve dhe Tokës, tendencat për një stil jetese më të qëndrueshëm dhe ato më të përdorura nga kompanitë.
Me rastin e Ditës së Tokës, ekspertët e aplikacionit gjuhësor Babbel kanë mbledhur dhe shpjeguar disa neologjizma “që rizgjojnë” marrëdhënien mes njerëzve dhe Tokës. Ja disa prej tyre:
Gökotta: fjalë suedeze e papërkthyeshme. Fjalë për fjalë do të thotë “të zgjohesh në mëngjes dhe të dalësh për të dëgjuar cicërimën e zogjve”, por përdoret në përgjithësi për të treguar nevojën për të gjetur kohë për të vlerësuar natyrën.
Solastalgia: një neologjizëm i përdorur nga filozofi australian Glenn Albrecht për të treguar ndjesinë e shkretimit që përjetojnë njerëzit, në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të pandërgjegjshme, kur mjedisi që i rrethon ndryshon në mënyrë radikale nga ndryshimi i klimës. Është një ndërthurje e fjalës latine sōlācium (komfort) dhe asaj me rrënjë nga greqishtja -algia (dhimbje).
Eutierra: një tjetër neologjizëm i prezantuar nga Glenn Albrech. Ndërthur fjalët greke eu (e mirë) + tierra (Tokë) për të përshkruar emocionin pozitiv që përjetohet kur ndiheni njësh me Tokën dhe forcat e saj jetësore.
Morbique: e lindur nga fjala latine morbus (sëmundje), ky neologjizëm përdoret në vendet anglishtfolëse për të treguar dëshirën e ‘sëmurë’ për të udhëtuar në vende dhe për t’i përjetuar ato para se të dëmtohen në mënyrë të pandreqshme nga ndryshimet klimatike ose nga ndryshime të tjera të shkaktuara nga njeriu. Ajo rëndohet zakonisht nga fakti që mjetet e transportit të nevojshme për të arritur në destinacion mund të ndikojnë në shkatërrimin e tij të mëtejshëm.
Bergdenken: fjalë për fjalë do të thotë “mendim mali”. Kjo fjalë e gjuhës gjermane u shpik nga akademikja Helga Peskoller për të treguar dëshirën e fortë për të qenë mes maleve, veçanërisht kur jeni të zhytur në kaosin e qytetit.
Ecological consciousness: një mënyrë e të qenët e cila respekton botën natyrore – lulet, pemët, kafshët dhe insektet – që ju lidh drejtpërdrejt me natyrën.
Refugiados climáticos: term spanjoll i cili përdoret për të treguar ata që janë detyruar të lënë vendin e tyre të origjinës për shkak të ndryshimeve ekstreme të klimës.
Tendencat për një stil jetese më të qëndrueshëm
Zgjedhjet e përditshme të njerëzve udhëhiqen gjithnjë e më shumë nga ndërgjegjësimi për të ruajtur burimet natyrore duke adoptuar stile jetese të qëndrueshme.
Ungardening: tendencë e re që lidhet me kujdesin e kopshtit të shtëpisë, gjithnjë e më e përhapur në Shtetet e Bashkuara. Ajo shmang përdorimin e pesticideve toksike për të krijuar hapësira që nxisin një faunë te egër dhe për zhvillimin e saj.
Mottainai (もったいない): japonezët e përdorin këtë fjalë për të treguar pendimin që ndiejnë kur diçka e çmuar shpërdorohet. Fjalë për fjalë mund të përkthehet “mos shpërdoro asgjë të denjë”.
Plastbanta: siç sugjeron përkthimi “dietë nga plastika”, ky neologjizëm suedez tregon rritjen e vëmendjes së njerëzve në shmangien e përdorimit të këtij materiali, i cili është i vështirë të riciklohet.
Vliegschaamte (vlieg = fluturim + schaamte = turp) dhe Treintrots (trein = tren + trots = krenari): dy fjalë holandeze që i referohen lëvizshmërisësë qëndrueshme. Vliegschaamte do të thotë të kesh turp të hipësh në avion, ndërsa treintrots, në të kundërt i referohet krenarisë së atyre që zgjedhin trenin.
Slow Fashion: është e kundërta e modës së shpejtë, një zgjedhje e qëllimshme e konsumatorëve për të ngadalësuar konsumin e tyre dhe për të blerë më pak, duke investuar në pjesë me cilësi të lartë që zgjasin më shumë.
Wish-cycling: tregon praktikën e hedhjes së objekteve në koshin e riciklimit, duke mos e pasur sigurinë nëse ato mund të riciklohen. Edhe pse udhëhiqet nga një dëshirë fisnike, ky zakon duhet të shmanget pasi vë në rrezik të gjithë procesin e riciklimit.