Rinisin hetimet për vrasjen e Artan Santos. Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha bën me dije se Prokuroria ka të dhëna të reja në lidhje me dosjen e bankierit Artan Santo, një prej vrasjeve të bujshme që mbetet ende e pazbardhur.
Në janar të këtij viti, Prokuroria e Tiranës bëri një kërkesë për rihapjen e një prej dosjeve më të bujshme në Shqipëri, atë të vrasjes së bankierit Santo. Dosja ishte pezulluar për mungesë provash nga ana e prokurorëve Naim Tota dhe Shpëtim Garunja, të cilët ia kaluan çështjen për ndjekje hetimore të mëtejshme Drejtorisë Vendore të Policisë në Tiranë.
Por, tashmë, dosja e bujshme është në duart e Prokurorisë së Posaccme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ende nuk dihet se në cilat indicje apo prova është bazuar vendimi për rihapjen e çështjes së kësaj vrasjeje, por dyshohet se bankieri u eliminua nga një grup i strukturuar kriminal. Nuk bëhet me dije nëse janë gjetur elementë të rinj që mund të zbulojnë vrasësin që u largua me një motor bashkë me një tjetër person.
Artan Santo u vra në 26 qershor të vitit 2014 përpara zyrës së tij të punës në ish-Bllok, në një nga rrugët më të frekuentuara të kryeqytetit. Pak çaste pasi kryen krimin e rëndë, atentatorët e Santos u larguan me motor, ndërsa Policia shoqëroi dhe mori në pyetje mbi 200 persona. Pas gati 7 vitesh nuk ka asnjë të akuzuar për vrasjen e 58-vjeçarit.