Çmimet Traveller’s Choice të TripAdvisor kohët e fundit vlerësuan një hotel grek si më të mirin në akomodimin all-inclusive (me të gjitha të përfshira) në të gjithë botën për vitin 2021. Me çmim prestigjioz u vlerësua edhe një hotel tjetër në Greqi, pasi u votua hoteli i tretë më i mirë në të gjithë botën nga udhëtarët.
Çmimet, të cilat u shpallën në janar, konsiderohen si më të besueshmet e industrisë sepse ato mbështeten vetëm në përvojën dhe vlerësimet e klientëve – ndryshe nga çmimet e tjera të hoteleve, të cilat shpesh jepen duke u bazuar te mendimet e ekspertëve, të cilat mund të mos përputhen me nevojat e klientëve. TripAdvisor vlerëson Greqinë për cilësinë e shkëlqyer të dhomave të hoteleve.
Çmimet e edicionit të 19-të u njoftuan në kohë për rezervimet e verës 2021, menjëherë pasi hotelet greke u hapën për turistët e huaj pas një viti jashtëzakonisht të vështirë pas përballjes me pandeminë e koronavirusit.
Hoteli më i mirë all-inclusive në të gjithë botën për 2021 ishte Ikos Olivia, në Gerakini, Halkidiki. Rezorti krenohet me katër pishinat e tij, si dhe një kuzhinë të larmishme.
Rezorti Sani Dunes, gjithashtu në Halkidiki, u vlerësua hoteli i tretë më i mirë në botë. Ai krenohet me pishinat e tij të shumta për turistët, si dhe gjashtë fusha tenisi dhe konsiderohet si një vend ideal për një udhëtim romantik, sepse fëmijët duhet të jenë 13 vjeç e lart për të qëndruar në këtë hotel.
Dy hotelet në Greqi zotërohen nga Grupi Sani/Ikos. Menaxheri i grupit, Dimitris Kontos, u shpreh se “vizitorët që zgjodhën përvojën unike të pushimeve të ofruara nga Sani Resort dhe Ikos Resorts, veçanërisht gjatë kohërave të vështira në të cilat ndodhemi, na nderuan me vlerësimet e larta”, duke e vlerësuar Sani/Ikos Group si dy nga vendpushimet më të mira në botë.
“Ky fakt na bën shumë krenarë dhe na jep motivimin e nevojshëm për të vazhduar përpjekjet për të qëndruar në krye, me më shumë përkushtim. Një aleat i fortë në të gjitha përpjekjet këtë vit kanë qenë dhe janë masat e plota për të mbrojtur shëndetin e vizitorëve dhe stafit”.
Greqia hapet për turizëm
Greqia u hap për turizëm të premten, më 14 maj. Planet e qeverisë për të mirëpritur udhëtarët e huaj ndërsa i mban njerëzit të sigurt nga koronavirusi përfshijnë kërkesa për hyrje, fushatat gjithëpërfshirëse të vaksinimit në pikat turistike dhe pasaportat e vaksinave.
Të gjithë ata që udhëtojnë në Greqi do të duhet të plotësojnë Formularin e Vendndodhjes së Pasagjerit (PLF) një ditë para mbërritjes. Njerëzit që hyjnë në vend, pavarësisht nga pika e hyrjes, do të duhet gjithashtu të pajisen me një test negativ PCR të bërë në 72 orët e fundit ose një certifikatë që tregon se janë vaksinuar plotësisht.
Greqia po planifikon gjithashtu të përfundojë vaksinimin e punonjësve të sektorit të turizmit dhe banorëve të destinacioneve të njohura ishullore sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të minimizohen infektimet.