Ligjvënësit e Bashkimit Europian do të votojnë për të ndaluar zyrtarisht një marrëveshje investimi me Kinën në përgjigje të sanksioneve kundër anëtarëve të bllokut, duke shtuar tensionet në rritje midis Brukselit dhe Pekinit.
Lëvizja për ngrirjen e “Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse për Investime” pritet të miratohet ditën e sotme.
Ajo do të kërkojë që Kina të heqë sanksionet përpara se të bëhet ndonjë përparim në marrëveshjen, e cila zgjati shtatë vjet për t’u negociuar dhe të nxisë bllokun që të bashkëpunojë më mirë me Shtetet e Bashkuara, raportoi Politco.
Marrëveshja është e ekuilibruar dhe e dobishme për të dyja palët, të cilët duhet të punojnë drejt ratifikimit të saj sa më parë të jetë e mundur, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian në një konferencë për shtyp të martën në Pekin.
Kina duhej të vendoste sanksione ndaj individëve dhe institucioneve europiane për të mbrojtur interesat e saj, tha Zhao, duke shtuar se “Ne shpresojmë që pala europiane të nxjerrë një mësim nga kjo situatë”.
Shqetësimet për ratifikimin e marrëveshjes së investimeve u ngritën në mars, kur Kina iu kundërpërgjigj SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së për sanksionet në lidhje me akuzat për abuzime të të drejtave të njeriut në rajonin perëndimor të Xinjiang.
Pekini tha në atë kohë se do të ndëshkonte 10 individë dhe katër njësi në BE, duke shtuar se masat “dëmtojnë sovranitetin dhe interesat e Kinës”.
Joerg Wuttke, kreu i Dhomës së Tregtisë të Bashkimit Europian në Kinë tha se negocimet për “Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse” BE-Kine për Investime zgjatën shtatë vjet. Fatkeqësisht, mund të duhen edhe shtatë të tjera që ajo të ratifikohet.
Kina është kritikuar nga qeveritë perëndimore për trajtimin e saj shumë të keq ndaj ujgurëve myslimanë dhe pakicave të tjera në Xinjiang. Një panel ekspertësh i KB gjatë vitit 2019 tha se rreth 1 milion njerëz janë dërguar në objektet e internimit, pjesë e një grupi politikash që SHBA e ka cilësuar si genocid.
Kina ka kundërshtuar akuzat, duke thënë se po heton një çështje të terrorizmit që arriti kulmin e saj rreth vitit 2014 kur sulmuesit me thikë vranë dhe plagosën dhjetëra njerëz në një stacion treni në qytetin jugperëndimor të Kunming.
Ky incident e tronditi vendin, duke bërë që media shtetërore ta krahasojë atë me sulmet terroriste të 11 shtatorit. Pekini thotë se aktivitetet e tij në Xinjiang kanë për qëllim ndërtimin e infrastrukturës dhe ofrimin e mundësive ekonomike dhe arsimore.
Kjo lëvizje nga ana ligjvënësve të BE-së vjen pak para se Presidenti Joe Biden të marrë pjesë në një samit SHBA-BE në Bruksel në qershor. Lidhjet e Pekinit me Europën janë përkeqësuar kohët e fundit, me Italinë që bllokon blerjet e planifikuara nga firmat kineze dhe Ministri i ri i Francës për Çështjet Europiane ka thënë se vendi i tij nuk do të tolerojë kërcënimet nga Kina. Lidhjet Kinë-BE tani ngjajnë fiks si “një rrugë pa krye” sepse është politikisht e pamundur që secila palë të heqë sanksionet e saj, tha për Bloomberg muajin e kaluar një akademik i një organizate studimore të lidhur me qeverinë kineze.