Realizimi i një seri kompjuterësh kuantikë, më të shpejtë, që mund të zgjidhin sfidat më të mëdha globale, si qëndrueshmëria dhe kura të reja mjekësore. Ky është synimi i Google, i cili në Konferencën e Zhvilluesve që po mbahet virtualisht për shkak të pandemisë, prezantoi Quantum AI Campus në Santa Barbara, Kaliforni.
“Duke parë përpara në dhjetë vjet, në të ardhmen, shumë nga sfidat e mëdha në botë, nga ndryshimet klimatike te menaxhimi i pandemisë tjetër, do të kërkojnë një lloj të ri computing – shpjegoi Erik Lucero, Lead Engineer, Google Quantum AI. Për të krijuar bateri më të mira (për të zvogëluar peshën në rrjetin elektrik), sintetizimi i një plehu që mund të ushqejë gjithë botën, duke mos gjeneruar 2% të emetimeve të dëmshme globale, krijimi i medikamenteve më efikase, duhet të kuptojmë dhe projektojmë më mirë molekulat. Kjo do të thotë se duhet të simulojmë më të saktë proceset e natyrës, por kjo nuk mund të bëhet duke u besuar kompjuterëve tradicionalë”.
Në planet e Google, brenda fundit të dekadës, kampusi do të ndërtojë një pajisje ‘quantum error correction’, e aftë të reduktojë në zero çdo pasaktësi në matje dhe analiza.
Për të arritur këtë objektiv, brenda një kompjuteri kuantik me përmasat e një dhome do të funksionojnë një milion qubit fizikë. Sipas Google, ky është një hap i madh përpara krahasuar me sistemet me përmasa modeste sot, më të vogla se 100 qubit. Kampusi do të presë punonjësit e angazhuar në këtë projekt, i cili mendohet se do të sjellë zbatimet e para në industri në vitin 2029.
Google ka një procesor kuantik, i quajtur “Sycamore”, i cili, siç pohoi kompania, ka arritur supremacinë kuantike. Procesori “Sycamore” i Google, i vitit 2019, mund të zgjidhë një problem mjaft kompleks në 200 sekonda, ndërsa super kompjuterëve u duhen 10 mijë vjet për të përfunduar të njëjtën detyrë. Google thotë se përpjekjet kuantike do të ndihmojnë kërkuesit të zgjidhin probleme në një afat të shkurtër.
Google nuk është e vetmja kompani që po punon për kompjuterë kuantikë. Edhe kompani të tjera, si IBM, kanë plane të ngjashme. Përdorimi i informatikës kuantike me zbatim në mjekësi është në objektivin e të dyja kompanive.