Nga John Lichfield, Politico.eu
Dënimi me burg për një ish-president francez mund të konsiderohet një fatkeqësi. Por fakti që i njëjti ish-president del në gjyq për akuza të ndryshme për korrupsioni 11 javë më vonë, duket si një fotografi brutale e gjendjes aktuale të politikës franceze.
Nicolas Sarkozy u paraqit të enjten para një gjykate në Paris për t’u përballur me akuzat se ai dhe partia e tij krijuan një sistem kompleks të faturave të rreme, për të fshehur shpenzimet marramendëse të fushatës së tij të dështuar për t’u rizgjedhur për një mandat tjetër në vitin 2012.
Disa akuza të tjera për abuzim me pushtetin kundër Sarkozy, janë ende nën shqyrtim. Ish-presidenti i kundërshton të gjitha akuzat, dhe e ka apeluar dënimin me 12 muaj burg që mori më 1 mars,për akuzën se u përpoq të korruptonte një gjyqtar për të marrë informacione të brendshme mbi një çështje tjetër penale kundër tij.
Pavarësisht nga të drejtat dhe gabimet e ndjekjeve penale ndaj Sarkozy, gjyqi i së enjtes i përshtatet një modeli të mjerueshëm francez të thyerjes së ligjit që ka dominuar 4 dekadat e fundit. Dy presidentët e fundit nga qendra e djathtë, Sarkozy dhe Jacques Chirac, u dënuan qëtë dy për korrupsion pasi u larguan nga Elysée.
Pesë nga gjashtë kryeministrat e fundit francezë të qendrës së djathtë, janë përballur me akuza penale të llojeve të ndryshme. Dy kryeministra, Edouard Balladur dhe Dominique de Villepin, u shpallën të pafajshëm. Tre të tjerë, përfshirë edhe Chirac, u shpallën fajtorë.
Alain Juppé (kryeministër nga 1995-1997) u dënua në vitin 2004 për ndihmën që i dha Chirac në përvetësimin e parave të taksapaguesve të Parisit, për të drejtuar partinë e tyre politike në vitet 1980 dhe 1990. Francois Fillon (kryeministër në vitet 2007-2012) u dënua vitin e kaluar për marrjen e fondeve shtetërore dhe shpërdorimin e tyre me familjarët.
Por skandalet korruptive nuk janë të izoluara vetëm tek e djathta, ndonëse ka pasur më tepër dënime në këtë kamp politik. Në fund të vitit 1980, zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste franceze u dënuan për lëvrimin e fondeve publike për qëllime partiake, dhe Jean-Luc Melenchon, lideri aktual i partisë së ekstremit të majtë “Franca e Pamposhtur”, kishte deklaruar të punësuar disa njerëz që nuk shkonin fare në zyrë, në mënyrë që të merrte rrogat nga Parlamenti Evropian dhe t’i përdorte për fushatë në Francë, gjatë kohës që ishte eurodeputet.
Për të njëjtën arsye akuzohet edhe liderja populiste Marine Le Pen, e cila që nga viti 2017 ndodhet nën hetim për marrjen e 6.8 milionë eurove fonde evropiane, të cilat më pas u përdorën për fushatë. Në të gjitha këto raste ka një motiv të përbashkët.
Që të gjitha ato, me përjashtim të çështjes “Fillon”, nuk kanë qenë akte korruptive me synim pasurimin personal të të korruptuarve, por për të ushqyer ambiciet e tyre për pushtet. Ky nuk është një fenomen i ri dhe as i izoluar vetëm në Francë.
Për dekada me radhë, këto aktivitete kanë qenë normale, por nuk raportoheshin nga mediat dhe as dënoheshin nga gjykatat. Charles de Gaulle e financoi për shumë vite partinë e tij me fonde publike, të cilat fitoheshin nga kolonitë afrikane të Francës.
Gjatë presidencës të George Pompidou, ka pasur një numër të madh skandalesh me pronat e paluajtshme. Kjo seri abuzimesh, ka bërë që edhe publiku francez ta humbasë besimin tek klasa politike.
Sipas sondazheve, 75 për qind e francezëve mendojnë se politika është e korruptuar dhe se ajo përdor fondet publike për qëllime partiake. A mund të çelë kjo seri ndëshkimesh, një kapitull të ri në politikën franceze, dhe distancimin nga modeli abuziv i 40 viteve të fundit? Kjo mbetet për t’u parë.
Presidenca e Pompidou (1969-1974), u dëmtua nga skandalet e pasurive të patundshme. Që atëherë, janë miratuar 3 ligje për të rregulluar shpenzimet e fushatës, dhe për të siguruar rimbursime të pjesshme të shtetit për fushatat zgjedhore. Por të gjitha partitë janë gjetur fajtore për përpjekjen e shmangies së këtyre rregullave,por jo më shumë sesa qendra e djathtë.
Përveç mashtrimeve me financimin e partive dhe fushatave, ka pak prova të korrupsionit sistematik në politikën moderne franceze, ose ndoshta shumë më pak sesa në të kaluarën. Megjithatë, kjo nuk është ajo që mendon publiku.
Bruno Jeanbart, nënkryetar i kompanisë së sondazheve “Opinionway”tha:“Sipas sondazhit tonë, rreth 75 për qind e francezëve besojnë se politika është e korruptuar. Ata nuk bëjnë shumë dallim midis mbledhjes së fondeve të partive dhe pasurimit personal”.
Jeanbart thotë se skandalet financiare rrallë ndikojnë direkt në zgjedhjet që bëjnë votuesit. Por skandali “Fillon” gjatë fushatës presidenciale të vitit 2017, ishte një përjashtim. Partitë populiste të ekstremit të djathtë dhe të majtë duken deri më tani relativisht të imunizuara nga kjo dukuri.
Në gjyqin 4-javor për “Bygmalion” që filloi të enjten, Sarkozy akuzohet se ka kërkuar të blejë një mandat të dytë si president në vitin 2012 duke shpenzuar të paktën 42.8 milion euro në fushatën e tij presidenciale të raundit të dytë, ose gati sa dyfishi i kufirit ligjor prej 22.5 milionë eurosh.
Shpenzimet e tepërta u fshehën për një kohe, përmes faturave të rreme nga kompanitë që mbanin lidhje të ngushta me të ose ato off-shore. Akuzat dhe kundër-akuzat për korrupsion brenda Les Républicains, partisë së krijuar nga Sarkozy vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.
Kjo urrejtjes midis ish-miqve dhe kolegëve e ka bërë të vështirë dhe ndoshta të pamundur zgjedhjen e një kandidati të vetëm presidencial të qendrës së djathtë për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Tani Macron dhe Le Pen zënë dy pjesët më të mëdha të skenës politike francezes,të zëna dikur nga De Gaulle, Chirac dhe Sarkozy. Dhe nuk ka asnjë shenjë se kjo ka të ngjarë të ndryshojë së shpejti. Ndarja ideologjike në qendrën e djathtë është e thellë; urrejtja personale e nxitur nga skandalet e kaluara po shkakton shumë përplasje të brendshme.
Gjyqi i fundit është ai i 14 zyrtarëve dhe politikanëve, përfshirë një ish-president të republikës. Ky hetim mund të shënojë edhe fundin e një epoke të politikës franceze. abc