Aleksander Vuçiç ka deklaruar se ka marrë siguri të plotë nga Greqia se nuk do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe se raportet e mira të Athinës me Prishtinën nuk janë lajm aspak i mirë për Serbinë.
“Unë nuk dua të them asgjë para se të dimë diçka, por ka pasur disa ndryshime në marrëdhëniet mes tyre, unë pres që të zbuloj nëse bëhet fjalë vetëm për një zyrë tregtare apo diçka më shumë midis Greqisë dhe Kosovës. Ne do të shohim se si shkojnë gjërat përpara se të informojmë publikun”, tha Vuçiç.
Sipas mediave, Vuçiç tha më tej se konsultimet e rëndësishme për Kosovën do të mbaheshin në Beograd gjatë ditëve të ardhshme para se të rifillojë dialogu Beograd-Prishtinë në Bruksel. Sipas tij e rëndësishme është që Serbia të ruajë interesat e saj shtetërore dhe kombëtare.