Dubai nuk është vetëm vend i pushimeve luksoze ku të pasur nga e gjithë bota e vizitojnë por edhe strese e emrave të botës së krimit.
Me hallka të dobëta të sigurisë, ky vend në gadishullin arabik ka shërbyer edhe si vend strehimi për disa nga trafikantët dhe kriminelët më të njohur nga Shqipëria.
Së fundmi, atje u arrestua një nga më të kërkuarit nga policia e Elbasanit, Florenc Çapja, nga fisi i njohur i këtij qyteti në luftë të hapur me një tjetër fis dhe që ka shkaktuar viktima të shumta.
Çapja akuzohet zyrtarisht nga organet e drejtësisë si porositësi i vrasjes së Gentjan Beqirit dhe babait të tij, krim spektakolar brenda banesës së tyre që ligjërisht ruhej me efektivë policie.
Gjatë muajve të fundit, atje u arrestua edhe Denis Matoshi i njohur edhe si Eldi Dizdari një nga trafikantët më të mëdhenj të kokainës në Evropë. Ai u prangos në kuadër të operacionit ndërkombëtar “KOMPANIA BELLO”, një organizatë transnacionale e krimit të organizuar e përfshirë në trafik droge dhe operacione kontrabande midis Amerikës së Jugut dhe Evropës me një vlerë të vlerësuar të rrugës prej 350 milion euro.
Ndërkohë, më 11 dhjetor të vitit të shkuar u arrestua po në këtë vend, Plaurent Dervishaj, ish-kunati i Lulzim Berishës. Ai akuzohet zyrtarisht nga SPAK si autor i vrasjes së biznesmenit Vajdin Lame, ngjarje e ndodhur mbi një dekadë më parë si dhe vrasjen e Klodian Saliut, ish-anëtar i Bandës së Durrësit në vitin 2005. Megjithatë, Dervishaj arriti t’i shpëtonte ekstradimit, duke u liruar nga qelitë më 6 shkurt.