Deputeti i PS-së Spartak Braho ka rrëfyer marrëdhënien e tij me presidentin Ilir Meta, që nga koha kur të dy ishin pjesë e PS, duke kujtuar si dikur Meta i ka thënë se “ne të dyve varri na ndan”.
Duke folur në emisionin “Front line” në “News 24” Braho thotë se nuk ka materiale kompromentuese në të ashtuquajturën çantë e zezë.
“Të përshëndes Ilir Meta, edhe mbaj mend se ke thënë se ne të dyve varri na ndan. Ky njeri pa karakter më krahason mua me Sulo Gradecin, që është personazh shumë pozitiv, partizan, skraparlli i devotshëm dhe sa herë atakohej me Metën, i thoshte bëj për Skraparin, bëj rrugën e Çepanit, të Malit të Tomorit. Rrugët e Gjirit të Lalëzit i ka bërë, por të Skraparit nuk i ka bërë. Ndoshta takohemi në atë botë dhe do ia kthej siç duhet. Unë nuk e kam tradhtuar Ilir Metën.
Është miqësi politike e hershme, unë jam themelues i PS, më pas erdhi, e kam mbështetur, sepse ishte i ri, gjykoja se Shqipërinë e donte, traditat i donte, por u sëmur shumë shpejt në cilësi. Por, vura re edhe cilësi të tjera që lidhen me karakterin. Ne ikëm nga PS si reaksion ndaj Nanos, por jo për të shkuar me Sali Berishën. Kam thënë në Konventën Kombëtare, zoti Meta po shkëputemi nga PS që të mos ketë krizë vendit, por i kam thënë se Sali Berisha ngelet deri në fund Berishë, ka duartrokitur atëherë. Na mblodhi kundër së majtës dhe shkoi pas qerres së Dritan Priftit”, shprehet Braho.
Pyetjes nëse çanta e zezë ka materiale kompromentuese për Metën, Braho i përgjigjet: “Unë nuk kanë materiale që kompromentojnë asnjeri, në kuptimin e keq të kësaj fjale. Unë nuk kam gjëra të shkruajtura as të skeduara, sepse kam memorien në nivel super. Mbaj mend çdo gjë dhe jam në gjendje të argumentoj çdo gjë. Kjo është çanta ime e zezë. Simbolikën çanta e ka shpikur ky vetë. Ik tha se te emisioni i Fevziut edhe merr një çantë me vete që të trembësh ata”.