Garoi për deputet, fitoi mandatin por tani kërkon qetësi. Kryeparlamentari Gramoz Ruçi, një nga figurat kryesore të Partisë Socialiste ka njoftuar sot tërheqjen nga jeta e politikës aktive duke iu bashkuar socialistëve të tjerë të larguar. Para tij, para zgjedhjeve, vendimin për largim e njoftuan edhe Eglantina Gjermani, apo Vasilika Hysi, por Ruçi deri më tani nuk kishte dhënë asnjë shenjë.
Po kush është Gramoz Ruçi dhe cili është rrugëtimi i tij në politikën shqiptare?
Gramoz Ruçi ka lindur në Tepelenë, më 6 dhjetor 1951. Studimet e larta i kreu në Institutin e Lartë Pedagogjik, dega Bio-Kimi. Nga viti 1971 deri në vitin 1978 ka ushtruar profesionin mësuesit në Progonat dhe pikërisht në të njëjtin vit është bërë pjesë e Partisë së Punës. Në vitin 1988, Gramoz Ruçi u emërua Sekretar i Parë i Partisë së Punës i rrethit të Tepelenës për t’u katapultuar më pas si Ministër i Punëve të Brendshme në vitin 1991. Post ministror që e ka mbajtur për herë të parë dhe të fundit. Por jo aktivitetin politik.
Në qershor të vitit 1991, Gramoz Ruçi u rendit si një prej themeluesëve të PS, ndërsa nga viti 1992 deri në vitin 1999 mbajtur postin e kreut të grupit parlamentar të PS-së. Të njëjtin post. Në shtator të vitit 2017, Gramoz Ruçi dha dorëheqjen nga të gjitha funksione drejtuese në Partinë Socialiste, duke u pasuar nga Taulant Balla. Ndërsa sot vendosi që më 9 shtator, të mos jetë më në listën e deputetëve që do të betohen para popullit.
AKUZAT
Emërimi i Gramoz Ruçit si kryetar i Kuvendit në vitin 2017 nga Rama hasi shumë debate në opinionin publik. Kjo për shkak të karrierës së Ruçi ka pasur në kohën e komunizmit. Ruçi, një ish-funksionar komunist i viteve të fundit të regjimit, për më tepër Ministër i Brendshëm është akuzuar nga ish-të përndjekurit si i implikuar në krimet e regjimit komunist. Më konkretisht për ngjarjet e 2 prillit ’91 në Shkodër. Plumbat e forcave të policisë, gjatë një proteste, morën jetën e Bujar Bishanakut, Arben Brocit, Nazmi Kryeziut dhe Besnik Cekës, sot të shpallur martirë të demokracisë, ndërkohë që me dhjetëra u plagosën. Madje akuzat vijojnë më tej ku thuhet se prej vitit 2005 i është ndaluar të hyjë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se është pjesë e “non grata”, që tanimë i është hequr nga DASH.