Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pritet të takohen të martën në Bruksel, për herë të parë ballë për ballë në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Takimi pritet të rihapë procesin e përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve që aspirojnë integrimet evropiane. Analistët në Prishtinë nuk presin ndonjë ndryshim në qasjen e të dyja palëve gjatë takimit të së martës.
Drejtori ekzekutiv i Grupit Ballkanik për hartimin e politikave, Naim Rashiti thotë se takimet e para gjithmonë janë të vështira dhe e njësoj do të jetë edhe nesër.
“Tani po flasim për dy parametra të fuqishëm politik, karaktere të vështira të dytë dhe si do ta përballojnë njëri tjetrin në këto takime. Nuk pres që takimi i nesërm se sa që ta shpalosë në detaje qëndrimet ndaj njëri tjetrit, t’i shfryjë në një far forme ato qëndrime publike në tavolinë dhe eventualisht të caktoj një dinamikë të re të takimeve”, thotë ai.
Arbër Fetahu nga Grupi për studime juridike dhe politike thotë se në takimin e parë do të trajtohen modalitet dhe parimet për zhvillimin e bisedimeve.
“Duke marr parasysh edhe qëndrimet e dy liderëve të shtetit edhe të Kosovës edhe të Serbisë nuk është larg mendjes që në takimin e parë ndoshta të hapen edhe tema substanciale ndoshta edhe tema të nxehta për të dyja palët që tashmë janë të ditura për publikun siç është çështja e Asociacionit dhe çështja e njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë apo edhe personat e pagjetur por duke u marr me rrjedhen logjike dhe siç zhvillohen teoritë e negociatave pasi që është takim i parë zyrtarë njoftues ndërmejt liderit të ri të Kosovës zotit Kurti dhe atij të Serbisë një minimum dakordësimi për parimet, pritjet dhe procesin do të duheshin të definoheshin që në fillim”, tha zoti Fetahu.
Zoti Rashiti thotë se beteja e Bashkimit Evropian në këto bisedime ka të bëjë me një përpjekje për të përafruar një marrëveshje përfundimtare.
“Mund të quhet hap i ri, dialog i ri edhe mund të ndërtohet korniza e re, ndryshe nga ajo që kemi pasur më herët, por natyrisht që ka një kërkesë që të merret me implementimin e marrëveshjeve të kaluara dhe këtu do të shohim me cilat agjenda do të merret Kosova në fakt, dhe e dyta se si do të pajtohen palët. Do të kishte qenë shumë mirë që qeveria e Kosovës të ketë dy agjenda shumë të thukta që ka të bëj me futjen në proces të një marrëveshjeje finale, implementimi të sa më shumë marrëveshje që kanë mbetur që ato shihen si përfituese të këtyre marrëveshjeve, ripaketim i gjithë marrëveshjes finale ku mund të futet edhe Asociacioni”, tha zoti Rashiti.
“Është shumë e rëndësishme të shikohet se a do të jetë ky për një mend një dialog i ri apo do të jetë një vazhdim i një cikli që ka qenë në të kaluarën a do të bëhet kjo prerja cezariane në kuptimin që të shtyhet përpara me një dinamikë të re që mund të shohim rezultate të reja ndoshta edhe tema të reja që nuk janë parë deri më tani apo do të jetë një vazhdimësi e një dialogu të vjetër dhe me vazhdimin e temave që kanë qenë deri më tani duke mos ndryshuar ndoshta shumë edhe stili dialogues”, tha Arbër Fetahu nga Grupi për studime juridike dhe politike.
Analistët thonë se Kosova duhet të dal me një qëndrim strategjik kundruall përfshirjes së Shteteve të Bashkuara në këtë proces duke kërkuar nga Washingtoni zyrtar të mos jetë pjesë e ndërmjetësimit por të jetë mbikëqyrës i ruajtjes së interesave të Kosovës në këto bisedime.