Nga korriku do të hidhet në qarkullim kartëmonedha e re prej 10 mijë lekëshe, që është dhe prerja më e madhe që është emetuar ndonjëherë. Deri tani, kartëmonedha me vlerën më të madhe ishte ajo prej 5 mijë lekësh.
Krahas kartëmonedhës së re 10 mijë lekësh do të hidhet në qarkullim dhe prerja e re prej 1,000 lekë.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, në një intervistë të para disa ditëve për “Monitor” dha shpjegime lidhur me arsyet e hedhjes në qarkullim të një prerjeje me vlerë më të madhe, që sipas tij plotëson kërkesat e tregut për ta pasur në strukturën e serisë sonë të kartëmonedhave me kurs ligjor.
“Shtypja e kartëmonedhave të reja 1,000 dhe 10,000 lekë është pjesë e vijimësisë së një pune disavjeçare të Bankës së Shqipërisë për të emetuar serinë e re të kartëmonedhave Lek, si dhe njëkohësisht për të garantuar në çdo moment furnizimin e ekonomisë me para të gatshme”, tha Sejko.
Sipas tij, një nga përgjegjësitë kryesore të Bankës së Shqipërisë është të garantojë furnizimin e ekonomisë me para të gatshme, si në vlerë, ashtu edhe në strukturë. Shtypja dhe hedhja në qarkullim për herë të parë e kartëmonedhës së re të prerjes më të lartë, me vlerë 10,000 lekë, përfaqëson në vetvete përshtatjen e strukturës së kartëmonedhave me strukturën e çmimeve dhe pagave, zhvillimet e sistemit të pagesave, si dhe treguesve të tjerë që lidhen me trajtimin e parasë.
“Kjo kartëmonedhë e prerjes më të lartë shoqëron zhvillimin ekonomik të vendit dhe sipas të gjitha analizave, plotëson kërkesat e tregut për ta pasur në strukturën e serisë sonë të kartëmonedhave me kurs ligjor. Prezantimi dhe hedhja e saj në qarkullim do të mundësojë për një qarkullim më të mirë dhe më efikas të parasë së gatshme, duke ndihmuar strukturën e monedhës në qarkullim dhe njëkohësisht duke ulur kostot e prodhimit, magazinimit dhe shpërndarjes, dhe në këtë mënyrë duke rritur efikasitetin e Bankës së Shqipërisë në administrimin e parasë fizike dhe emisionit.
Gjithashtu, prania e kësaj prerjeje të re më të lartë në strukturën e kartëmonedhave shqiptare rrit efikasitetin e Bankës së Shqipërisë edhe për të administruar një stok strategjik sa më të përshtatshëm për të përballuar raste të rritjeve të paparashikuara të kërkesës së tregut për para fizike”.
Pavarësisht zhvillimit të mjeteve të tjera të pagesës, si ato elektronike, paraja në qarkullim vijon të ketë ndër vite një trend rritës, i cili pasqyron kërkesën e vazhdueshme të ekonomisë për para fizike si mjet pagese.
“Banka e Shqipërisë planifikon me kujdes për të garantuar plotësimin e kësaj kërkese të tregut, si në situata normale, ashtu edhe në ato jotipike. Edhe situata më e fundit e pandemisë COVID-19, është një shembull konkret në këtë drejtim. Gjatë kësaj periudhe ka rezultuar një rritje shtesë e kërkesës së ekonomisë për para fizike. Kështu, gjatë vitit 2020, paraja në qarkullim është rritur me rreth 52 miliardë lekë, ose rreth 3 herë më shumë se rritja e shënuar gjatë vitit 2019.
Gjithashtu, edhe në 5 muajt e parë të vitit 2021 është shënuar një rritje prej rreth 10 miliardë lekësh. Plotësimi i kërkesës së tregut për para fizike është mbështetur nëpërmjet sigurimit dhe planifikimit të stokut të mjaftueshëm të parasë në Bankën e Shqipërisë, e cila jep siguri jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen”, thotë Guvernatori.
Si do të jetë kartëmonedha 10 mijë lekëshe
Kartëmonedha 10,000 lekë mbart si tematikë simbolet e Flamurit Kombëtar dhe Himnit, të shoqëruar me portretin e poetit tonë të Rilindjes Kombëtare, Asdreni, për shkak të pranimit mbarëpopullor të Asdrenit si autor i tekstit të “Himnit Kombëtar” të shqiptarëve, një krijim i cili së bashku me Flamurin Kombëtar janë që prej Pavarësisë, simbole identiteti të shqiptareve. Si të gjitha prerjet e serisë së re, edhe kjo kartëmonedhë përmban elemente sigurie të avancuara, të prodhuara me teknologjitë më të fundit të fushës, të cilat lehtësojnë identifikimin nga publiku, rrisin besueshmërinë tek paraja kombëtare dhe e bëjnë më të vështirë falsifikimin.