Eksperti i ushqimit, Abdyl Sinani ka dhënë këshilla për qytetarët, të cilët janë të shqetësuar për përhapjen e gripit të shpendëve, i njohur si H5N8.
Në një intervistë për ‘Wake up’, Sinani ka treguar se nëse qytetarët ndeshen me një pulë e cila ka lot në sy dhe është e trullosur, ta izolojnë. Eksperti ka theksuar se pula me këto shenja nuk duhet prekur me dorë, por vetëm duke mbajtur doreza.
“Kur të shohim një pulë që ka lot në sy, jashtëqitje si ujë dhe e trullosur, duhet që ta izolojmë atë. Jo vetëm atë, por edhe pulat e tjera. Nëse ne dimë zonat që i ka dhënë autoritetet përkatëse, atëherë nuk konsumojmë mishin e marrë atje. Autoriteti i ushqimit duhet të bëjë analizat. Virusi nuk e prek lehtë organizimin e njeriut, prek proteinën e pulës”, tha eksperti i ushqimit.
Eksperti shtoi se mishi futet edhe në sallam, e si pasojë kërkohet një analizë e të gjitha produkteve të mishit të pulës. I pyetur nëse njerëzit duhet që të rrinë të qetë, eksperti i ushqimit tha “jo”.
“Duke menduar se çfarë hoqëm nga Covid, tani duhet të jemi më të kujdesshëm. Kërkohet një kontroll edhe më i madh. Kohët e fundit është bërë një punë shumë e madhe në drejtim të kësaj. Vetë konsumatori e di që mishi ruhet në një temperaturë të caktuar, e nëse temperatura është më e lartë në supermarketin ku e blen, atëherë kuptohet se mishit i kanë ikur disa proteina”, shtoi Sinani.
Vendi ynë ka raportuar deri më tani tre vatra të virusit të shpendëve, në Dajt, Fushë-Krujë dhe një fshat në Tropojë.