Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka vizituar Qendrën e vaksinimit në sallën “1 Tetori”, për të parë nga afër vaksinimin masiv të qytetarëve.
Me këtë rast ai tha se vaksinimi do të bëhet bazuar në Planin e Veprimit me vaksinën kundër Covid-19. Synim tha se kanë vaksinimin e 60% të popullatës, duke shtuar se në muaj vaksinën do ta marrin 320 mijë qytetarë.
Ka nisur vaksinimi masiv në Kosovë. Në sallën “1 Tetori” në Prishtinë janë mbledhur qytetarë të cilët janë duke u vaksinuar dhe të tjerë të cilët janë duke pritur për vaksinim.
Deri tash janë administruar mbi 99 mijë vaksina derisa në stok janë edhe rreth 97 mijë vaksina.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se deri në fund të muajit pritet të vijnë edhe rreth 40 mijë doza të vaksinës anti-COVID. Në ditën kur nisi vaksnimi masiv, Vitia ka deklaruar se në stoqe ka doza të mjaftueshme për të nisur ky proces.
“15 qershori është data e fillimit të vaksinimit masiv sepse jemi siguruar që do të ketë mjaftueshëm doza në stoqet tona,. Mbi 1.2 milionë doza të Pfizerit pritet të vijnë deri në fund të vitit. Kemi planifikuar që çdo muaj të vaksinojmë rreth 320 mijë persona”.
Vitia ka theksuar se shifrat e vaksinimit mund të rriten nëse vijnë kontingjente të shumta çdo muaj.
Ai ka deklaruar se Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me komunat ka krijuar hapësirat e reja për vaksinim, duke shtuar kapacitetet e nevojshme, duke zhvilluar modulin e vaksinimit dhe organizuar logjistikën.
“Tashmë kemi kaluar shifrën 100. Mijë të vaksinuar, objektivi është vaksinimi i 60 për qind të qytetarëve. Imunizimi ka qenë dhe është kryefjala e angazhimit në këtë kohë, sigurimi i vaksinave të nevojshme është përgjegjësia jonë. Thirrjet për vaksinim janë të domosdoshme. Pandemia s’ka kaluar ende, kontributi, kujdesi dhe përgjegjshmëria vazhdon të jetë e rëndësishme. Ju inkurajojmë që të aplikoni në e-Kosova për vaksinim”, ka thënë ai.
Ai shtoi se Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me komunat ka krijuar hapësira të reja për vaksinim, ka shtuar 279 ekipe të vaksinimit në nivel vendi, dhe ka ngritur infrastrukturën e nevojshme.
“Sot me kënaqësi them se tani kemi kaluar shifrën prej 100 mijë të vaksinuar, dhe objektiv i ynë mbetet vaksinimi i 60% Aktualisht po vaksinohen personat mbi 65 vjet dhe personat me sëmundje kronike pa dallim moshe”, tha Vitia.
Ministri u bëri thirrje qytetarëve që të aplikojnë për marrjen e vaksinës.
Qeveria e Kosovës ka njoftuar javë më parë se ka kontraktuar 1.2 milionë vaksina “Pfizer” që do të vijnë deri në fund të vitit.
Deri tash në vend janë kryer rreth 100 mijë vaksinime. Të gjithë me vaksinat “AstraZeneca” dhe “Pfizer” të marra përmes donacioneve nga aleanca “COVAX” dhe Bashkimi Evropian.
Kohëve të fundit, në Kosovë ka rënë dukshëm numri i rasteve të reja me koronavirus dhe rasteve të vdekjes. Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus, autoritetet kanë regjistruar mbi 107 mijë raste. Prej tyre, 2,250 raste kanë përfunduar me fatalitet. Aktualisht, raste aktive janë 345.