Spiro Iljadhi, pronari i “Bar Orange” dhe “Orange Club” ka rënë pre e një atentati të rëndë, ku drejt tij janë zbrazur rreth 20 plumba. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:50, në afërsi të një lokali në lagjen nr.1 në Sarandë, në rrugën “Turizëm-Kanali i Çukos”.
Por çfarë ndodhi?
Një makinë tip Range Rover është filmuar nga kamerat e sigurisë duke lëvizur dhe dyshohet se është automjeti që iu përket autorëve.
Spiro Iljadhi ishte në një lokal, kur në momentin kur ka dalë është qëlluar me breshëri automatiku dhe ku deri më tani, sipas burimeve policore, në vendngjarje janë gjetur mbi 20 gëzhoja. Për fat të keq, plumbat kanë lënduar edhe një pushues shqiptaro amerikan, Marin Jani 33 vjeç, i cili kishte zgjedhur të pushonte në Sarandë.
Turisti ka marrë një plumb në fundshpinë dhe për fat të mirë mësohet se është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë që gjendja e biznesmenit është e rëndë. Ai ka marrë plagë të shumta në zonën e barkut dhe është sjellë me urgjencë drejt Spitalit të Traumës, ku po merr ndihmën e parë.
Por kush është Spiro Iljadhi?
Biznesmeni 35-vjeçar ka disa vite që punon në Sarandë me “Orange Club”. I mbërritur nga emigracioni në Greqi, Iljadhi u përfshi edhe disa vite më parë në një tjetër çështje të rëndë. Ish-kryeministri Sali Berisha e akuzoi Iljadhin se në lokalin e tij, i ishte prerë veshi një turisti, por ky denoncim u hodh poshtë nga vetë biznesmeni, i cili në një prononcim të asokohe, deklaroi se publikimi ishte bërë nga konkurrentët në biznes që donin ti prishnin punë.