Çështja e Lionel Messi rikthehet në vëmendje te klubi i Barcelonës. Kjo nuk lidhet me tërmetin e shkaktuar sezonin e kaluar, kur ylli i Argjentinës dukej se ishte një hap larg lamtumirës, megjithatë çështja bëhet edhe një herë aktuale.
Kontrata që e lidh Messi-n me blaugranat, prej vitit 2003, përfundon në qershor, duke rikthyer në vëmendje, edhe një herë, mundësinë e rinovimit të marrëveshjes, që për Messi-n mund të jetë e fundit në karrierën.
Futbollisti synon të rinovojë kontratën për një shifër të lartë – 50 milionë euro neto në sezon. Kushtet ekonomike nuk janë konfirmuar ende, por nga Spanja ka zëra se është gjetur një marrëveshje për dy vjet, deri në vitin 2023. Zyrtarizimi pritet në ditët e ardhshme.
Sidoqoftë, Barcelona duhet të bëjë bilancin edhe me efektet e pandemisë, të cilat do të çojnë në një reduktim të ri të buxhetit në 2020/21, dhe mbi të gjitha do të duhet të merret me tavanin e pagave të vendosur nga Liga Spanjolle.
Por, çfarë nënkuptohet kur flitet për “tavan pagash” në kampionatin spanjoll? Teknikisht flitet për “kufizimin e kostos të skuadrës sportive” (Limite de coste de plantilla deportiva). Në thelb, bëhet fjalë për një kufizim shpenzimesh që çdo klub propozon dhe justifikon në lidhje me buxhetin në dispozicion, duke i lënë Autoritetit të vlefshmërisë së La Ligës detyrën e miratimit të pragut të propozuar.
Në qoftë se ky kufizim nuk konsiderohet i përshtatshëm, i njëjti Autoritet mund të kërkojë të rregullojë shifrën, deri sa të marrë një shumë që siguron stabilitetin financiar të klubit. Megjithatë, bëhet fjalë për një limit që shoqëritë, jo domosdoshmërisht, duhet ta arrijnë. Ato duhet të qëndrojnë poshtë shifrës së përcaktuar dhe të bërë të ditur nga La Liga spanjolle në një komunikim për shtyp në faqen e vet.
Siç mund të shihet në rregulloret e La Liga, “kufiri i kostos së skuadrës sportive” përfshin disa zëra:
- Pagat, fikse ose të ndryshueshme
- Pagat për shitjen e të drejtave të imazhit, kolektiv ose individual
- Amortizimi i kostove të blerjes së lojtarëve
- Detyrimet e sigurimeve shoqërore
- Shpenzimet për pagën (ose të një lloji tjetër) e lojtarëve të transferuar në baza të përkohshme te klubet e tjera
Edhe për sezonin 2021/21 – e njëjta gjë ndodhi edhe për 2021/22, La Liga publikoi për çdo klub, të kategorisë së parë dhe të dytë, limitet e shpenzimeve për sezonin. Si çdo vit, u publikuan të dhënat për 42 klube profesionale, të ndikuara pashmangshmërisht nga kriza e koronavirusit.
La Liga ka vendosur të shtrëngojë rripin për sezonin 2021/22, duke konfirmuar rregulla më të rrepta për klubet që kanë kapërcyer kufirin e vendosur sezonin e kaluar: midis tyre, vetë Barcelona, por edhe Real Madrid dhe Atletico Madrid.