A mundet futbolli, më së fundi, të kthehet në shtëpi? Goldman Sachs Group Inc. mendon se po.
Banka amerikane parashikon se Anglia do të fitojë kompeticionin e saj të parë të madh në futboll në 55 vjet, pasi Belgjika, përzgjedhja e parë, u eliminua nga Euro 2020 të premten.
“Do të kthehet në shtëpi (me siguri)” – shkroi Christian Schnittker nga Banka Goldman në një postim, duke iu
referuar tekstit të këngës në vitin 1996 të grupit Three Lions (Football’s Coming Home), e cila këndohet – shpesh me ironi – nga tifozët e Anglisë.
Goldman përdori të dhënat e rreth 6000 ndeshjeve të luajtura që nga viti 1980 për të përpunuar modelin e saj të probabilitetit, i cili merr në konsideratë faktorë si forca aktuale e skuadrës, së bashku me rezultatet e fundit, efektet e avantazhit të ndeshjeve që do të luhen në “shtëpi” dhe nëse një vend është “një ekip turneu” i cili kapërcen pritshmëritë gjatë kompeticioneve.
“Parashikimet mbeten ende shumë të pasigurta, edhe me teknikat statistikore më të sofistikuara” shkroi Goldman në raportin e parë të publikuar në maj. “Kjo është arsyeja se pse futbolli është kaq emocionues për t’u parë”.
Anglia do të përballet me Danimarkën në gjysmëfinalen e së mërkurës të Euro 2020, i cili zhvillohet një vit me vonesë për shkak të pandemisë së koronavirusit. Italia dhe Spanja do të ndeshen në gjysmëfinale, të martën.