Ka nisur që prej ditës së premte puna për heqjen e tapetit të vjetër në fushën e stadiumit kombëtar “Air Albania”, që do të zëvendësohet me tapetin e ri të barit dhe gjithçka të jetë gati për në muajin shtator, kur Shqipëria do të rinisë fushatën e ndeshjeve eliminatore kundër Hungarisë dhe San Marinos, të vlefshme për kampionatin botëror “Katar 2022”.
Procesi i heqjes së tapetit të vjetër si dhe rregullimi i bazamentit zgjat nga shtatë deri në nëntë ditë dhe për këtë, një grup i posaçëm po punon intensivisht dhe me ritme të larta pune. Tapeti i ri që do të vendoset do të ketë në përbërjen e tij bar hibrid dhe bar natyral.
Në një prononcim të dhënë për fshf.org, administratori i stadiumit “Air Albania”, Kejdi Tomorri, është shprehur se pas heqjes së tapetit dhe rregullimit të bazamentit, do të vijojë puna për shtrimin e tapetit hibrid, duke theksuar se ky është një proces që do kohë, por që do të jetë gati për muajin shtator.
“Kemi filluar nga dita e djeshme heqjen e tapetit të vjetër, proces i cili sëbashku me rregullimin e bazamentit do të dojë një kohë nga shtatë deri në nëntë ditë. Më pas do të procedohet me instalimin e tapetit hibrid, i cili do të mbillet me farën e barit.
Normalisht është një proces që kërkon dy muaj kohë, por ne jemi duke i afruar proceset me njëra-tjetrën dhe besoj se në datën 5 shtator për ndeshjen e parë që Shqipëria do të luajë këtu ndaj Hungarisë, fusha do të jetë gati dhe në gjëndje optimale” – shprehet Tomorri.
Me fushën e re hibride që do të instalohet, Tomorri thekson se do të ketë mundësi që të luhen më shumë ndeshje dhe aktivitete të tjera ekstra sportive. “Përzgjedhja e tapetit hibrid është bërë me këtë qëllim, që të mbajë ngarkesë më të madhe dhe mund të përdoret edhe për koncerte apo spektakle që mund të mbahen në fushë– përfundon Tomorri në prononcimin e tij për fshf.org”.