Rovena Voda, gjatë periudhës që ka qënë me detyrë zv.ministre e Brendshme, është përfshirë në një skandal të emërimit të paligjshëm të personave në administratën publike.
Sipas hetimeve të SPAK, besohet se Voda, ka marë një sasi prej 2 mijë euro në këmbim të futjes në punë të një vajze të re, me emrin Florida Beu, e cila është emëruar me detyrë punonjëse në administratën civile, në kategorinë ekzekutive.
Florida Beu, thonë burimet pranë Prokurorisë, ka filluar pranë strukturave të administratës publike dhe se tashmë është arrestuar dhe nën masën e “arrestit në shtëpi”.
Për futjen në punë të Florida Beut, mësohet se ka ndërhyrë dhe ka hyrë si ndërmjetëse avokatia nga Durrësi, Majlinda Hasani, e cila ka njohje dhe miqësi të ngushtë me Rovena Vodën.
Pikërisht Hasani duke shfrytëzuar afrimitetin me zv.ministren e Brendshme, Rovena Voda, ka “orkestruar” procedurën për futjen në punë të mikeshës së saj, Florida Beu.
Për futjen e Beut në administratën e Ministrisë së Brendshme, dyshohet se është paguar nga Majlinda Hasani, tek Rovena Voda, një shumë financiare prej 2000 mijë euro me premtimin se Voda do fliste me anëtarët e komisionit të shqyrtimit të dosjeve të kandidatëve për punësim.
Mësohet se ky operacion, është ndjekur në dinamikë nga oficerët e policisë gjyqësore dhe prokurorët e SPAK, të cilët në fakt ishin duke ndjekur dhe hetuar një dosje tjetër penale.
Çështja e Vodës, është ndarë nga kjo dosje fillestare, duke bërë që Prokuroria e Posaçme, të rregjistrojë procedimin penal nr. 49/2 të vitit 2021 dhe për pasojë ditën e sotme të kërkojë në gjykatë, caktimin e masës së sigurisë arrest në shtëpi për ish-zv/ministren e Brendshme, Rovena Voda, avokaten në Durrës, Majlinda Hasani dhe vajzën e punësuar në ministri, Florida Beu.
Rovena Voda u emërua në postin e zv.ministres së Brendshme më datë 22 maj 2017.
Nga shtatori i vitit 2014 deri më mars të vitit 2017, Voda mbajti postin e Drejtorit të Kabinetit të ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Prej 22 marsit 2017, ajo u emërua në pozicionin e drejtorit të Kabinetit të ministrit të Punëve të Brendshme.
Ndërsa në 30 korrik 2020, me urdhër të kryeministrit Edi Rama dhe firmën e Erion Bracces, Voda është shkarkuar nga detyra e zv.ministres së Brendshme.
Voda gjatë kësaj periudhe ka mbetur pa punë, megjithëse kishte kërkuar disa herë të sistemohej në një pozicion të administratës publike.
Qysh prej datës 5 Maj 2021, Rovena Voda ka hapur zyrën e saj të avokatisë “Voda Consulting”, duke ushtruar profesionin e avokates në Durrës.