Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se delegacioni i Serbisë shkon me “besimin më të madh” në Bruksel, ku më 19 korrik do të mbahet takimi i radhës i bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisv.
“Duam të bisedojmë, t’i zgjidhim problemet konkrete, nga personat e zhdukur e gjithçka tjetër. Mendoj se përparimi është i nevojshëm, por nëse është i mundur, do ta shohim”, tha Vuçiç.
Ky është takimi i dytë mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel. Për herë të parë, dy zyrtarët janë takuar më 15 qershor dhe gjatë takimit kanë prezantuar pozicionet e tyre të kundërta. Në fund palët kanë thënë se nuk janë pajtuar për asgjë, mirëpo kanë shprehur gatishmëri për vazhdim të dialogut.
Dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011. Takimi i fundit ndërmjet krerëve shtetërorë të këtyre vendeve është zhvilluar në 15 Qershor midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. Edhe pas këtij takimi nuk u arrit një marrëveshje pasi palët nuk pranuar kushtet e njëra-tjetrës për vijimin e dialogut.