Vladimir Putin autorizoi personalisht një operacion të fshehtë të agjensisë së spiunimit për të mbështetur një person që ai e cilëson si “të paqëndrueshëm mendërisht”. Bëhet fjalë për ish-presidentin amerikan Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të SHBA në vitin 2016. Gjatë një mbledhjeje të mbyllur të këshillit kombëtar të sigurisë ruse, Putin ka folur edhe për zgjedhjet në Amerikë, ndërsa gjithçka është e dokumentuar me fakte.
Takimi kryesor u zhvillua në 22 Janar 2016, me presidentin rus, shefat e tij të spiunazhir dhe me ministrat më të rëndësishëm. Ata ranë dakord se një “Shtëpi e Bardhë” e drejtuar nga Trump do të ndihmonte në sigurimin e objektivave strategjikë të Moskës, pasi në SHBA do të kishte trazira sociale dhe dobësim të pozicionit negociues të presidentit amerikan. Tre agjensitë e spiunazhit të Rusisë u urdhëruan që të gjenin mënyra praktike për të mbështetur Trump.
Raporti – “Jo 32-04 vd” – klasifikohet si sekret. Aty shkruhet se Trump është “kandidati më premtues” nga këndvështrimi i Kremlinit. Fjala në rusisht është “perspektivny”. Ekziston një vlerësim i shkurtër psikologjik i Trump, i cili përshkruhet si një “individ impulsiv, i paqëndrueshëm mendërisht dhe i paekuilibruar që vuan nga një kompleks inferioriteti”.

Ndërkohë që paralelisht Trump kishte fituar garën brenda Partisë Republikane. “The Guardian” ka kërkuar sqarime nga Kremlini zyrtar, por zëdhënësi i Putinit, Dmitri Peskov u shpreh se e gjithë fabula ishte një trillim i shkëlqyer.
Samiti i Kremlinit
Por nuk ka dyshim që takimi në janar 2016 u zhvillua – dhe se ai u thirr brenda Kremlinit. Një foto zyrtare e këtij takimi tregon Putinin në krye të tryezës, ulur poshtë një flamuri të Federatës Ruse dhe një shqiponje të artë me dy koka.

Kryeministri i atëhershëm rus, Dmitry Medvedev, mori pjesë, së bashku me ministrin veteran të jashtëm, Sergei Lavrov. I pranishëm ishte edhe Sergei Shoigu, ministri i mbrojtjes i ngarkuar me GRU; kreu i agjensisë ushtarake të inteligjencës ruse; Mikhail Fradkov; shefi i atëhershëm i shërbimit të inteligjencës së huaj SVR ruse; dhe Alexander Bortnikov, shefi i agjensisë së spiunimit të FSB. Nikolai Patrushev, ish-drejtori i FSB, mori pjesë gjithashtu si sekretar i këshillit të sigurisë. Sipas një njoftimi për shtyp të asaj dite, diskutimet në mbledhje kishin të bënin lidhur me ekonominë e vendit dhe Moldavinë.
Dokumenti i parë nga Guardian hedh hipotezat se qëllimi i vërtetë dhe i fshehtë i këshillit të sigurisë ishte të diskutonte propozimet konfidenciale të hartuara nga shërbimi analitik si përgjigje të sanksioneve të SHBA ndaj Moskës. Autori duket të jetë Vladimir Symonenko, zyrtari i lartë i ngarkuar me departamentin e ekspertëve të Kremlinit – i cili i siguron Putinit materiale analitike dhe raporte, disa prej tyre bazuar në inteligjencën e huaj.
Masat ishin efektive menjëherë pas nënshkrimit të Putinit. Shefave të spiunëve iu dha pak më shumë se një javë kohë që të ktheheshin me ide konkrete, për t’i paraqitur deri më 1 shkurt. Por Putini ka mohuar vazhdimisht akuzat për ndërhyrje në demokracinë perëndimore. Por pas disa javësh nga takimi, hakerat e GRU bastisën serverat e Komitetit Kombëtar Demokratik (DNC) dhe më pas lëshuan mijëra e-maile private në përpjekje për të dëmtuar fushatën zgjedhore të Klintonit. Në fund të shkrimit, “The Guardian” ka theksuar se ka tentuar që të marrë një koment edhe nga presidenti Donald Trump lidhur me dokumentat por pala duket se preferon që të qëndrojë në heshtje. / The Guardian