Mjeku Ilir Tolaj ka dhënë detaje për situatën e helmimit të qytetarëve në Deçan. Ai u shpreh se nuk duhet të bazohemi tek teoritë konspirative pasi ka fakte më të prekshme dhe se sipas tij shkaku kryesor është kontaminimi i ujit të pijshëm.
“Vizitova qendrën kryesore dhe disa pacientë, bisedova me kryetarin e komunës dhe shifra duhet të jetë pak më e vogël sepse janë numëruar edhe rastet e përsëritura që kanë shkuar në spital nga dy herë. Ende nuk është konfirmuar një agjent kimik dhe nuk përjashtohet uji si shpërndarës kryesor i këtij helmimi.
Në bazë të dhënave tona uji sërish mbetet shkaku kryesor i përhapjes së këtij infeksioni pra që mund të jetë biologjik. Burimet nga janë furnizuar, vendi ku mblidhet uji nuk është i mbrojtur sa duhet dhe rrjeti i ujësjellësit nuk i plotësion standardet dhe ekziston përherë mundësia për helmim. 3 ditë para helmimit ka pasur rrebeshe shiu dhe uji mund të jetë kontaminuar“- u shpreh Tola për “Fax News”.
I pyetur pse akoma analizat laboratorike nuk e zbulojnë shkakun, mjeku tha se arsyet janë të shumëfishta duke filluar edhe me kohën kur janë marrë monstrat sepse mund të jetë kontaminim i përkohshëm dhe numri i bakterve mund të ketë qenë i vogël.
“Gjendja e laboratorëve është e mirë dhe monstrat po analizohen dhe po ashtu organizimi i shërbimeve mjekësore ka qene shumë i mirë. Duhet thënë që jo vetëm në Deçan ka vende ku grumbullohen njerëzit pranë ujësjellësit apo kafshët dhe jo gjithmonë duhet marrë parasysh si shkak kjo gjë. Megjithatë ndoshta nuk do e mësojmë dot kurrë arsyen e vertëtë të këtij helmimi masiv”-përfundoi Tolaj.