Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, mund të detyrohet të nënshtrohet një operacioni urgjent pasi ai u dërgua me urgjencë në spital në orët e para të së Mërkurës duke u ankuar për dhimbje barku.
Bolsonaro, 66 vjeç, thuhet se u shtrua në një spital ushtarak në kryeqytetin Brasília rreth orës 4 të mëngjesit, pasi u godit nga një periudhë e pandërprerë lemze që ka zgjatur për më shumë se 10 ditë.
Sipas Guardian, të mërkurën pasdite presidenca njoftoi se udhëheqësi i Brazilit po transferohej në São Paulo pasi Antônio Luiz Macedo, kirurgu që operoi Bolsonaro pasi u u godit me thikë pak para zgjedhjeve të 2018, e diagnostikoi atë me një bllokim të zorrëve.
Në një deklaratë, presidenca tha se teste shtesë do të kryheshin në São Paulo, e cila është shtëpia e disa prej qendrave kryesore mjekësore të Brazilit, për të përcaktuar nëse Bolsonaro kishte nevojë për operacion urgjent.
Një fotografi e Bolsonaron i shtrirë në një shtrat spitali, me një burrë që dukej se ishte prift duke prekur shpatullën e djathtë, u botua në llogaritë e presidentit në mediat sociale së bashku me mesazhin: “Dashtë Zoti, ne do të kthehemi së shpejti. Brazili është i yni.”
Gjatë një udhëtimi në Brazilin jugor të Premten e kaluar, Bolsonaro thuhet se u desh të braktisë një darkë pasi u ndje keq. Në një transmetim të fundit të mediave sociale, Bolsonaro tha se problemi i tij me lemzën kishte filluar pasi ai iu nënshtrua një operacioni dentar në 3 qershor dhe sipas tij shkak u bënë mjekimet që kishte marrë.