Në Tiranë, Partia Demokratike zhvilloi sot Kuvendin Kombëtar, në përpjekje për t’i riorganizuar pas humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se masakra zgjedhore e 25 prillit është një krim, që pret ndëshkim dhe se opozita nuk do ta njohë kurrë.
Ai tha se parlamenti i ri, që mblidhet në shtator, është vetëm një pjesë e veprimtarisë së Partisë Demokratike për të denoncuar abuzimin e socialistëve me zgjedhjet dhe me pushtetin.
Partia Demokratike e opozitës zhvilloi sot Kuvendin Kombëtar afro 3 muaj pasi humbi zgjedhjet e përgjithshme për herë të tretë për parlamentin e ri dhe sapo ka rizgjedhur kryetarin e vet për një mandat të tretë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, theksoi se më 25 prill socialistët kryen një masakër zgjedhore të parapërgatitur me kujdes për të vjedhur dhe blerë votat në të gjithë vendin.
Masakra zgjedhore e 25 prillit, tha ai, nuk njihet nga Partia Demokratike, sepse ai është një krim që meriton ndëshkim, në një seri elementësh.
Ai renditi nga blerja masive e votave, presioni ndaj votuesve, shkrirja në një e partisë në pushtet me shtetin, keqpërdorimi i aseteve publike nga partia në pushtet, vjedhja e të dhënave private dhe personale të shqiptarëve nga partia në pushtet dhe ngritja e sistemit kriminal të patronazhistëve, ndryshimet kushtetuese të njëanshme, jo demokratike dhe të paligjshme, në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias, vetëm 6 muaj përpara zgjedhjeve, deri te rritja e paprecedentë e fletëve të votimit të pavlefshme, një shifër tre herë më e lartë se diferenca midis dy partive.
“Masakra zgjedhore e 25 prillit nuk ndodhi në një ditë, por regjimi Rama – Doshi ka punuar ethshëm për të penguar me çdo mjet ndryshimin që shqiptarët kërkonin. Se kanë punuar ethshëm vetëm për interesat e tyre, dhe kundër interesave të njerëzve të thjeshtë të vendit tonë” – tha zoti Basha.
Partia Demokratike ka depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe në SPAK me mijëra informacione, fakte, dokumente, muaj, javë dhe ditë përpara zhvillimit të zgjedhjeve, që provonin sesi regjimi po zbatonte një projekt kriminal të deformimit të vullnetit të qytetarëve përmes vjedhjes më të madhe në historinë e Shqipërisë përmes bashkëpunimit të pushtetit me grupet kriminale.
Debatet e brendshme në Partinë Demokratike dhe mungesa e fitoreve në zgjedhje vendore e të përgjithshme kanë njerrë në pah tensione dhe rryma përherë e më të zëshme.
Disa zëra kritikë në PD, që kandiduan për kryetar si Fatbardh Kadilli, Agron Shehaj dhe Edit Harxhi, kërkuan dorëheqjen e zotit Basha nga drejtimi i Partisë për shkak të humbjes së zgjedhjeve parlamentare më 25 prill, kur socialistët morën një mandat të tretë qeverisës.
Kandidati Fatbardh Kadilli shprehu shqetësim për një garë të pandershme, shpesh e ngjashme, siç tha ai, me shkeljet që PD tha se i bënë socialistët në zgjedhjet e 25 prillit.
Por zoti Basha u rizgjodh kryetar i PD-së me një diferencë të thellë votash përballë 3 konkurrentëve të tjerë, të cilët e akuzuan për garë të pabarabartë në parti dhe për humbjen e zgjedhjeve parlamentare më 25 prill.
Mbetet për të parë hapi i radhës i Partisë Demokratike pas bojkotit të parlamentit dhe zgjedhjeve vendore, sjellja e saj me aleatët më të vegjël, dhe sidomos qëndrimi ndaj socialistëve, që mbizotërojnë parlamentin në shtator.
Zoti Basha pati dhe një ftesë për bashkëpunim, një dorë të shtrirë, sic u shpreh ai, edhe për të gjithë ata që gjatë fushatës luftuan më shumë kundër Partisë Demokratike se sa kundër kryeministrit Rama.
Kryetari i opozitës ka edhe një tjetër dorë të shtrirë për bashkëpunim nga ana e Partisë Socialiste, siç thotë kryeministri Rama, në dobi të reformave europiane integruese.
Duke hedhur poshtë akuzat për vjedhje të zgjedhjeve të përgjithshme, drejtuesi i Partisë Socialiste tha se qytetarët i besuan PS-së një mandat të tretë në qeverisje pas mirëqeverisjes së krizës së pandemisë dhe asaj të tërmetit.
Por kreu i rikonfirmuar i opozitës tha në kuvend se Shqipëria është sërish në udhëkryq, për shkak të vjedhes së zgjedhjeve.
Ai fajësoi qeverinë Rama se gjatë pandemisë Covid nuk ndihmoi njerëzit, por u dha vetëm gjoba dhe propagandë, dhe nga ana tjetër vazhdoi abuzimet me financat publike, po ashtu si bëri edhe pas tërmetit të 2019, duke lënë qytetarët në mëshirë të fatit.
Parlamenti i ri mblidhet në shtator, kur mbetet për t’u parë me saktësi edhe qëndrimi i opozitës ndaj zgjedhjeve dhe institucionit më të lartë ligjvënës, të cilin e braktisi 2 vjet më parë duke djegur mandatet e deputetëve të vet.