Kandidati për kancelar në Gjermani për zgjedhjet e ardhshme, Armin Laschet është përfshirë në një “lumë” kritikash për të qeshurat dhe batutat e tij gjatë një vizite në zonat e përmbytura.
Pas videos së publikuar në rrjete sociale, kryeministri i landit Nordrhein-Westfalen kërkoi falje publike për gjestin e tij të papërshtatshëm.
Përmes një postimi në Twitter, ai kërkon falje publike dhe ka pranuar se sjellja e tij ishte e pahijshme.
“Kështu që pendohem edhe më shumë për përshtypjen që lindi nga një situatë bisede. Kjo ishte e papërshtatshme dhe më vjen keq”, tha politikani i CDU.
Incidenti ndodhi gjatë ditës së djeshme gjatë vizitës së Presidentit Frank-Walter Steinmeier dhe zyrtarëve të tjerë në një nga qytetet e goditura nga përmbytjet.
Ndërkohë që Presidenti po jepte një deklaratë për mediat, Laschet u shfaq në prapavijë duke qeshur me zyrtarët e tjerë.
Pas publikimit të këtyre pamjeve në rrjete sociale dhe në media, qytetarë e politikanë u lëshuan me kritika ndaj tij për sjellje të pahijshme në momente të papërshtatshme.
Gazeta gjermane Bild, shkruan se Armin Laschet dhe zyrtarëve të tjerë, u ishte shkëputur audio nga kufjet dhe nuk mund të dëgjonin se çfarë po fliste Presidenti.